Në SHMP “Abdyl Ramaj” do të ketë edhe drejtime të Shëndetësisë
Sipas një Memorandumi të Bashkëpunimit në mes të Spitalit të Përgjithshëm Regjional të Prizrenit dhe Komunës së Suharekës, SHMP –ja ( Shkolla e Mesme Profesionale )”Abdyl Ramaj”, nga ky vit do të filloj edhe me një drejtim të ri, pra me drejtimin shëndetësor. Kryetari Muharremaj, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në fcb, uron nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj Qendre të diturisë:
“Sot nënshkruam Memorandumin e Bashkëpunimit me Drejtorin e Spitalit të Përgjithshëm Regjional të Prizrenit z.Afrim Avdaj, për bashkëpunim të mëtejshëm dhe për gatishmërinë në ofrimin e ndihmës në hapjen e drejtimit për Shëndetësinë në SHMP “Abdyl Ramaj” në Suharekë.
Bashkë me drejtorin z.Destan Berisha të SHMP “Abdyl Ramaj” në Suharekë, kemi iniciuar procedurat para Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për hapjen e Profileve të Lëmit Shëndetësi, prandaj i kemi parashtruar Spitalit të Përgjithshëm Regjional “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren – KËRKESË, për kryerjen e praktikës profesionale për nxënës.
Shkolla e Mesme e Lartë Profesionale “Abdyl Ramaj” në Suharekë është në proces për hapjen e Drejtimit Shëndetësi për vitin shkollor 2021-22.
Për këtë vit kemi planifikuar hapjen e profileve:
1) Asistent i Kujdesit Social Shëndetësor
2) Asistent i Fizioterapisë
Duke marrë parasysh kapacitetet e Spitalit të Përgjithshëm Regjional “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren dhe kapacitetet që i posedon, i është kërkuar Drejtorit të Spitalit z.Afrim Avdaj që pjesën e praktikës profesionale të paraparë sipas Kurrikules Arsimore të MASHTI-it, t’u lejojnë dhe të i përgatisin nxënësit tanë të mësuarit në vendin e punës për përgatitje për tregun e punës që të jenë në shërbim të qytetarëve tanë në të ardhmen.
Andaj, jemi mirënjohës për angazhimin e këtij bashkëpunimi i cili ka synim në të ardhmen shërbimin ndaj qytetarëve.
Urime !