Në Vaganicë sportistët u torturuan dhe u rrahën nga milicia e okupatorit serb në vitet e 90-ta.
Prof. dr. Ruzhdi Kuçi i takon Gjeneratës së Republikës dhe ka qenë trajner i shquar i klubit të basketbollit Ylli nga Suhareka deri në vitin 1996, pastaj shkoi në klubin e femrave Shqiponja, që e udhëhoqi për më shumë se një dekadë.
Kuçi, një burrë i vendosur, trim që s’e kishte shoqin, që as qerpiku nuk iu tremb nga kërcënimet e milicisë dhe bandave serbe.
Ai kujton një ngjarje të rëndë në Vaganicë të Mitrovicës se si u rrethuan nga milicia serbe dhe si u drejtuan armët në drejtim të sportistëve.
“Zhvillimi i ndeshjeve të basketbollit të pavarur në kushte okupimi ishte i vështirë por bëhej me entuziazëm dhe përkushtim.
Me 5. 05.1995 në Mitrovicë ,konkretisht në lagjen Vaganicë Federata e Basketbollit të Kosovës, 10 ekipet e atëhershme i ndau në dy grupe.
Grupi A dhe B. Klubi i basketbollit Ylli nga Suhareka ishte në grupin A. Këtu bënin pjesë edhe klubi i basketbollit Prishtina, klubi i basketbollit Trepça nga Mitrovica, klubi i basketbollit Besa nga Podujeva dhe klubi i basketbollit Drita nga Gjilani.
Federata e basketbollit vendosi që ndeshja në mes Yllit dhe Dritës të zhvillohej në Mitrovicë në palestrën e shkollës “Ibrahim Pervezi” tani quhet “Skënderbeu”, në ora 13.00.
Kurse ndeshja mes Prishtinës dhe Trepçës të zhvillohet më pastaj. Ekipi i jonë me mua si trajner i ekipit ishim të përgatitur dhe dolëm në fushë, mirëpo ekipi i Dritës nuk ishin të kompletuar. I mungonin lojtaret kryesor dhe nuk e zhvilluan ndeshjen. Andaj konform rregullores Komesari i Garave e regjistroi ndeshjen 20:0 në favor të Yllit.
Pastaj filloi ndeshja midis Prishtinës dhe Trepçës. Kryesia e klubit Ylli së bashku me lojtarët u vendosem në tribunë”, tregon Kuçi për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Pasi filloi ndeshja, ndodhi më e keqja, futet milicia e okupatorit serb, duke ushtruar terror të paparë ndaj basketbollistëve dhe zyrtarëve të klubeve shqiptare.
“Me të filluar pjesa e dytë me dhjetëra policë të pushtetit okupues serb furishëm depërtuan në palestër.
Të gjithë ishin të armatosur. Kërkuan të ndërpritet menjëherë loja, dhe publiku të ngritët në këmbë.
Unë isha mbështetur në murin që e ndan tribunën nga fusha, dhe me të hyrë policia, njëri nga ta e drejtoi revolen duke bërtitur që mos të lëviz.
Kisha me veti procesin e lojës, si dhe licencat e lojtareve.
Disa koleg nga publiku më sugjeruan që ti hajë ato, se nëse kuptojnë që jemi nga Suhareka do ta pësojmë edhe më keq. Kjo edhe për faktin se ato ditë në terë Kosovën bëri jehonë vrasja e policit serb nga atdhetari Besim Ndrecaj.

Mirëpo unë i mbajta procesin dhe licencat në xhep.
Policët si të tërbuar u vërsulen ndaj referëve Azem Hoxha dhe Muhamet Ahma, duke i goditur me grushta e shqelma pa mëshirë.
Kërkuan se kush po i organizon këto lojëra. Me guxim u paraqit anëtari i kryesisë së atëhershme të Federatës Mehmet Tahiri, zyrtar i klubit Trepça dhe donator i atij klubi.
Menjëherë policët e grushtuan dhe e nokautuan. Aty në parket u rrahën edhe një lojtar i klubit Ylli si dhe disa anëtar të klubit Prishtina. Policia të vërsulet si bisha ndaj sportistëve morën në polici disa persona. Organizuesi nga Mitrovica Mehmet Tahiri u dënua me burg. Pastaj u urdhëruam qe një nga një të dalim nga palestra. Në derën dalëse qëndronte një polic që kishte mbyllur hapësirën dalëse dhe ne duhej të anashkalonim disi.
Ai vazhdimisht shante.
Me të dal jashtë shkolla ishte në rrethim të hekurt me mbi dhjetë automjete policore. Në kodrën mbi shkollë një numër i konsiderueshëm qytetarësh ishin mbledhur duke na dhënë kurajo.
Problem në vete ato vite ishte se si të udhëtojmë nga Suhareka për në qytete tjera me i zhvilluar ndeshjet pasi ne vazhdimisht luanim mysafir në mungesë të palestre. Lojtaret i vishnin fanellat nga shtëpia që mos zbulohemi që jemi klubi i basketbollit, e mos të flasim për topin e basketbollit të cilin nuk e merrnim me veti. Këto veprime gjithmonë bëheshin që mos të na dështoj ndeshja në basketbollin e pavarur të Republikës së Kosovës.
Storie e veçantë me lojtaret e klubit Ylli pas ndeshjes ishte si do të kthehemi në shtëpi, pasi te tuneli i Vaganicës shpesh qëllonin patrullat policore.
Atëherë me lojtar kemi pritur dhe pas dy orëve jemi nisur për shtëpi.

Ky ishte një përshkrim i një prej shumë sfidave që ka pasur zhvillimi i sportit të pavarur i viteve 90”, përfundon prof. dr. Ruzhdi Kuçi.
Formacioni i Ylli në vitin 1995, që i printe prof. dr. Kuçi
Burim Berisha
Idriz Bylykbashi
Mehmet Berisha
Istref Buqaj
Valentinë Z. Selmani
Ibrahim Elshani
Fadil Berisha
Suad Musliu
Lulëzim Bytyqi
Fatmir Berisha
Ruzhdi Z. Kuçi /BotaSot