Konfirmohet edhe një rast me variantin afrikan të COVID-19 në Kosovë

Është konfirmuar edhe një rast i variantit afrikan të COVID-19 në Kosovë.

Pacienti është i hospitalizuar dhe duke u trajtuar në Klinikën Infektive.

“Duke qenë se tashmë rasti është kontaktuar, do të hulumtohen kontaktet për identifikimin eventual të rasteve të reja. Rastet e tilla të virusit mutagjen janë regjistruar tashmë në shumë vende të botës. Ekipet hulumtuese të IKSHPK po gjurmojnë pandërprerë të gjitha burimet e mundshme për të parandaluar përhapjen e mëtutjeshme të rasteve dhe implikimet e mundshme në shëndetin e njeriut.

Masat parandaluese janë të njëjta. Personat të cilët rezultojnë pozitiv duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet. Me zvogëlimin e kontakteve, do të mundësohet ndërprerja e përhapjes së infeksionit.

IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19 dhe zbatimin e masave të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e IKSHPK