Çfarë duhet të dimë për variantin Afrikan të COVID-19 të identifikuar në Kosovë, cilat janë rreziqet

Kosova ka regjistruar një rast të infektuar me variantin afrikan të COVID-19, derisa në vend vazhdon të jetë i pranishëm edhe varianti britanik. Infektologë në vend thonë se varianti afrikan mund të përhapet më lehtë, ndonëse vlerësohet se ai nuk është më i rrezikshëm se variantet tjera, raporton Gazeta Express.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë të ditur sot se në Kosovë është konfirmuar një rast i infektuar me variantin afrikan të SARS CoV-2. Pacientja është hospitalizuar dhe është duke u trajtuar në Klinikën Infektive, ndërsa kontaktet e saj pritet të hulumtohen për identifikim eventual të rasteve tjera të infektuara me këtë variant. 

Ndërsa, edhe mjek në Klinikën Infektive e kanë konfirmuar për Express se pacientja e konfirmuar me këtë variant të virusit është e shtrirë në klinikë dhe se po merr të gjithë trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Infektologu Salih Ahmeti, ka thënë për Express se qytetarët nuk duhet ta marrin me shqetësim këtë mutacion të COVID-19, i cili tashmë është përhapur në shumë shtete tjera.Reklamë

Ai është shprehur se në aspektin klinik dhe simptomatologjik ky mutacion i ri nuk dallon nga mutacionet tjera.

Megjithëse, ai ka deklaruar se ky variant përhapet më lehtë duke mos kursyer as moshat e reja. 

“Si tip i ri, tipi afrikan ka mundësi të përhapjes më të shpejtë në mesin e personave të kontaktit duke mos kursyer edhe moshat më të reja. Përndryshe, unë mendoj se ne nuk duhet t’i marrim me shqetësim këto mutacione sepse ato janë edhe në vende të ndryshme të botës të pranishme. Në aspektin klinik dhe simptomatologjik ky variant nuk dallon. Ne nuk kemi ndonjë risi të veçantë”, ka thënë ai.

Ahmeti ka theksuar se edhe ky variant mund të ketë forma klinike prej më të lehtave deri te më të rëndat, ashtu si variantet tjera.

Megjithatë, protokolli i trajtimit të tij, sipas tij është i njëjtë sikurse edhe për format tjera të koronavirusit.

Përderisa tashmë një kohë të gjatë COVID-19 është i pranishëm në Kosovë e shtete të tjera, infektologë në vend thonë se është normale që virusi të paraqitet në forma të ndryshme.

Sipas infektologut, Hamdi Ramadani, sa më shumë që një virus është i pranishëm ai ndryshon formë dhe paraqitet në variante të reja.

Megjithatë, ai ka deklaruar se me anë të vaksinimit të gjithë këto variante të reja mund të luftohen.

Çfarë duhet të dimë për variantin e Afrikës së Jugut të COVID-19.

Deri tani nuk ka asnjë provë që varianti i Afrikës së Jugut shkakton sëmundje më serioze për shumicën dërrmuese të njerëzve që infektohen me të.

Ashtu si versioni origjinal i këtij virusi, edhe varianti afrikan është më i rrezikshëm për të moshuarit e personat që kanë probleme tjera shëndetësore.

Megjithatë, ka shqetësime se ky variant mund të përhapet edhe më lehtë se versioni origjinal.

Varianti i Afrikës së Jugut, i njohur gjithashtu si 501.V2 ose B.1.351, ka disa ndryshime të rëndësishme që ekspertët po vazhdojnë ti studiojnë.

Varianti i Afrikës së Jugut mbart një mutacion, të quajtur N501Y, që duket se e bën atë më ngjitës ose të lehtë për tu përhapur.

Një mutacion tjetër, i quajtur E484K, mund të ndihmojë virusin të shmang sistemin imunitar të një personi dhe mund të ndikojë në funksionimin e vaksinave të koronavirusit.

Ky mutacion tashmë është përhapur në shumë vende të botës, përfshirë këtu edhe në shtete të ndryshme të Evropës.

Ndërsa, simptomat e infektimit me të, janë të njëjta si ato të varianteve tjera: Ethe, kollitje, gulçim, lodhje, diarre, dhimbje koke e trupi.

Ato mund të shfaqen 2-14 ditë pas infektimit.

Po ashtu, edhe trajtimi klinik i personave të infektuar me këtë variant është i njëjtë si i atyre të infektuar me variante tjera.

A janë vaksinat efektive ndaj variantit afrikan të COVID-19?

Ka pasur shqetësime që ky virus mund të përhapet shumë më lehtë, dhe se vaksinat mund të mos funksionojnë aq mirë kundër tij.

Ndonëse vaksinat aktuale janë krijuar duke u bazuar në variantin origjinal të COVID-19, ato përsëri vlerësohet se ofrojnë mbrojtje edhe ndaj varianteve tjera të këtij virusi.

Megjithatë ende nuk dihet saktësisht se sa mbrojtje japin vaksinat ndaj  varianteve të reja, ndonëse vlerësohet se është e vështirë që këto mutacione t’i bëjnë të padobishme vaksinat.

Mediat e huaja raportojnë se provat e vaksinave të Novavax, Janssen dhe vaksinës Oxford / AstraZeneca në Afrikën e Jugut, ku qarkullon B.1.351, sugjerojnë se varianti mund t’i shpëtojë imunitetit dhe mund të mos ndalojë infeksionet.

Megjithatë ekspertët thonë se vaksinat duhet të ofrojnë akoma mbrojtje ndaj COVID-19.

Nga Organizata Botërore e Shëndetësisë thuhet se bazuar në provat e deritanishme, variantet e reja të SARS-CoV-2, përfshirë B.1.1.7 dhe 501Y.V2, nuk e ndryshojnë efektivitetin e vaksinës ModernamRNA. Ndonëse po vazhdon monitorimi, mbledhja dhe analizimi i të dhënave për variante të reja dhe ndikimi i tyre në efektivitetin e diagnostikimit, trajtimeve dhe vaksinave COVID-19. 

Ndërsa, nga aleanca e vaksinave “Gavi”  kanë thënë se lajmi se vaksina Oxford-AstraZeneca mund të mos mbrojë nga infeksioni i butë-mesatar i shkaktuar nga varianti B.1.351, i cili u identifikua për herë të parë në Afrikën e Jugut, ka shkaktuar shqetësim ndërkombëtar dhe se shkencëtarët mbeten optimistë se ajo ende ka një rol dhe mund të zvogëlojë ndjeshëm shtrimet në spital dhe vdekjet.

Përkundër dyshimeve në rolin e vaksinave, ato konsiderohen shumë të nevojshme për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.

Vetëm me imunizimin e popullsisë, infektologët shpresojnë që të përfundojë pandemia COVID-19./Gazeta Express/