Lideri ushtarak i serbëve të Bosnjës, Ratko Mladiq, i njohur si “Kasapi i Ballkanit”, është dënuar të martën me burgim të përjetshëm, në procesin e Apelit para Tribunalit të Hagës.

Me këtë, Mladiqit i është konfirmuar dënimi i shkallës së parë i shqiptuar në vitin 2017 për orkestrimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera të kryera gjatë luftës së viteve 1992-1995 në Bosnjë-Hercegovinë. Këshilli i Apelit ka bërë të ditur se nuk është bindur që ka ekzistuar një plan për kryerjen e gjenocidit më 1992 në gjashtë komuna të Bosnjës, përfshirë Kluçin, Kotor Varoshin, Sanski Mostin, Prijedorin, Vlesenicën, Foçën.

Si rrjedhojë, Mladiq është liruar nga akuzat për këtë pikë të aktakuzës. Kësisoj, Mladiq është shpallur fajtor për 10 nga 11 pikat e aktakuzës. Verdikti i së martës, i marrë nga pesë gjykatës të Mekanizmit të Tribunaleve ndërkombëtare në Hagë, është përfundimtar dhe nuk mund të apelohet më.

Njëzetegjashtë vjet pas masakrës së Srebrenicës, vendimi e përmbyll gjykimin e fundit për gjenocid në Bosnje para Tribunalit. Verdikti për mbajtjen në fuqi të akuzave nënkupton se 78-vjeçari do ta shërbejë pjesën e mbetur të jetës së tij në burg.

Si komandant i forcave serbe të Bosnjës, Mladiq ka luajtur rol domethënës në fushatat vdekjeprurëse, përfshirë masakrën e 1995-s në Srebrenicë dhe rrethimin 43-muajsh të Sarajevës.

Ai ishte dënuar më 2017 rreth akuzave për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ndërsa ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Konfirmimin e dënimit të tij të martën e ka bërë gjykatësja kryesuese nga Zambia, Prisca Matimba Nyambe.

Zgjidhni kandidatëttuaj të preferuar për deputet nga Suhareka! 🗳️

Kandidati juaj i preferuar per Kryeminister?

TE FUNDIT