Dy raste të virusit vdekjeprurës të “lisë së majmunit” janë konfirmuar në Mbretërinë e Bashkuar.
Duke u dhënë dëshmi deputetëve sot mbi trajtimin e pandemisë së shkaktuar nga Covid-19, Matt Hancock rastësisht njoftoi se po merrej edhe me një ‘shpërthim’ të virusit të rrallë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Sekretari i Shëndetësisë e përshkroi situatën si ‘absolutisht standarde’ dhe këmbënguli se ai merrej me ‘këto lloj shpërthimesh gjatë gjithë kohës’.
Por ai nuk dha detaje për sa pacientë ishin infektuar ose nëse virusi po përhapej në Britani së bashku me coronavirusin.
Veç kësaj, autoritetet e Shëndetit Publik në Uells më vonë konfirmuan se ishin vërejtur ‘dy raste të tilla të importuara’.
Të dy pacientët vinin nga e njëjta shtëpi në Uellsin Verior por nuk u dhanë detaje për moshën ose gjininë e tyre. Vetëm një është duke u trajtuar në spital.
Pacientët u infektuan në fillim të majit dhe tashmë ishin vetë-karantinuar për shkak të udhëzimeve të udhëtimit si pasojë e Covid-19.
Sëmundja e rrallë tropikale, e cila shkakton simptoma të ngjashme me gripin dhe flluska në lëkurë, shkaktohet nga një virus i përhapur nga majmunët, minjtë, ketrat dhe gjitarët e tjerë të vegjël.
Ajo mund të përhapet midis njerëzve përmes kontaktit lëkurë në lëkurë, kollës dhe teshtitjeve, si dhe duke prekur çdo rrobë ose shtrat të ndotur.
Transmetimi nga njeriu në njeri është i pazakontë, dhe virusi nuk përhapet aq lehtë sa coronavirusi. /Telegrafi/