Situata me pandeminë në vend, 434 raste aktive dhe afro 100 mijë qytetarë të vaksinuar

Ka më shumë se një muaj që kur në Kosovë ka pasur rënie të lakores epidemiologjike në vend.

Rënia e rasteve të infektimit me coronavirus e po ashtu edhe numrit të vdekjeve bëri që Qeveria e Kosovës të merr vendim për lehtësimin e masave antiCOVID-19.

Sipas të dhënave nga IKSHPK-ja dhe Ministria e Shëndetësisë, që nga fillimi i pandemisë e deri më sot janë konfirmuar pozitiv me COVID-19, 107 mijë e 578 persona.

Por krahas kësaj edhe numri i personave të shëruar arrin në 104 mijë e 894, kurse vdekje janë shënuar gjithsejtë 2 mijë e 250, shkruan Telegrafi.

Në 24 orët e fundit janë konfirmuar vetëm 7 raste pozitive dhe vetëm një rast i vdekjes. Raste aktive në vend mbeten 434. Procesi i vaksinimit të qytetarëve gjithashtu është duke vazhduar çdo ditë në të gjitha qytetet e Kosovës.

Deri më tash numri i qytetarëve të vaksinuar ka arrit në 98 mijë 277.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se që nga 15 qershori do të nis edhe procesi i vaksinimit masiv, ndërkaq në dispozicion janë vetëm edhe 97 mijë e 933 vaksina.

Ndryshe sot në sallën “1 Tetori” do të vazhdoj procesi i vaksinimit me dozën e dytë të vaksinës për të gjithë ata qytetarë të cilët kanë marrë dozën e parë.

Deri më tani në Kosovë përmes programit COVAX dhe Bashkimit Evropian si donacion kanë ardhur gjithsej 196 mijë 210 doza të vaksinës kundër COVID-19.

Deri tash dihet se MSh ka blerë edhe mbi 1.2 milion doza të vaksinave të cilat do të arrijnë deri në fund të vitit. /Telegrafi/