Një vrasje që dyshohet se u krye nga një kosovar ka tronditur dje Belgjikën. 48-vjeçari me inicialet B.A, dyshohet ka therur për vdekje të dashurin e ish-gruas së tij. Detaje se si ndodhi i gjithë rasti ka dhënë Prokuroria në Belgjikë.
Hapësira para një shkolle në qytetin Deurne të Belgjikës, dje u kthye në një skenë krimi. Para syve të fëmijëve që vijojnë mësimet në atë shkollë, u krye një vrasje që tmerroi të gjithë.
Një 48-vjeçar nga Kosova dyshohet se ka therur për vdekje një 52-vjeçar, e që ishte burri i ish-gruas së tij. Ai kishte shkuar te shkolla për t’i marrë fëmijët e bashkëshortes, por që më pas kosovari i kishte dalë në pritë dhe e kishte therrur për vdekje.
Për vrasjen që dyshohet se është kryer nga kosovari janë deklaruar nga Prokuroria e Belgjikës.
“Një burrë 48-vjeçar është arrestuar me urdhër të gjykatësit hetues për vrasjen e një 52-vjeçari. Viktima është bashkëshorti i ri i ish-gruas së të dyshuarit. Nga të gjeturat deri në këtë pikë të hetimeve, i dyshuari, një 48-vjeçar me kombësi kosovare ishte duke e pritur viktimën në daljen e një shkolle fillore në Waterbaan, Deurne. 52-vjeçari ishte aty për t’i marrë thjeshtrit (fëmijët e gruas nga burri tjetër) nga shkolla, por u ther disa herë në rrugë me një thikë”, kanë deklaruar nga Prokuroria.
Sipas prokurorisë, viktima ishte therur 13 herë. I dyshuari është kapur nga Policia, derisa po tentonte që të ikte nga vendi i ngjarjes.
“Dëshmitarët më pas e panë të dyshuarin duke u larguar në drejtim të Herentalsebaan-it. Policia shkoi shpejt dhe arriti që ta arrestonte burrin në të dyzetat në Van Havrelei, pa ndonjë problem. Kalimtarët e rastit ia dhanë ndihmën e parë viktimës. Pas kësaj, kontrollin e mori stafi mjekësor. Për fat të keq, nuk kishte ndihmë të mëtejme për viktimën. Ekspertët e forenzikës që erdhën në vendin e ngjarjes për hetime numëruan 13 lëndime nga thika dhe therjet”, thuhet në përgjigjet e prokurorisë për express.
Zyra e Prokurorit tashmë ka nisur hetimet për rastin, derisa në seancën që është mbajtur sot, 48-vjeçari ka zgjedhur që të mbrohet në heshtje.
Ai pritet të dalë para gjykatës edhe të premten.