FLUKS TURISTËSH DREJT NË MORINË, MBI 16 MIJË PERSONA VETËM DJE

Në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinës gjatë kësaj fundjave, ka patur fluks të shqiptarëve të Kosovës dhe shtetas të huaj, të cilët zgjedhin Shqipërinë si destinacion të preferuar turistik.

Prefekti i qarkut të Kukësit, Zenel Kuçana bëri të ditur për ATSH-në se sot kanë hyrë në katër pikat e kalimit kufitar (Morinë, Shishtavec, Qafë prush dhe Qafë Marinë) gjithsej 16 560 shtetas të huaj me rreth 4158 mjete.

“Në pikën e kalimit kufitar në Morinë, është shënuar fluksi më i lartë i hyrjeve me rreth 15667 shtetas të huaj, më pas vjen pika e kalimit Qafë Morinë me 515 shtetas për të vijuar me Qafë Prushin, ku kanë hyrë vetëm gjatë ditës së sotme 310 shtetas të huaj dhe nga pika e kalimit kufitar në Shishtavec kanë hyrë 68 persona”, tha Kuçana.

Pushuesit nga Kosova vijojnë të zgjedhin bregdetin shqiptar për të kaluar fundjavën ku numri i tyre sa vjen e shtohet gjatë këtyre ditëve të qershorit. Pika kufitare e Morinës është një pikë shumë e rëndësishme duke qenë se përpunon numrin më të madh të vizitorëve gjatë vitit.