LDK flet për 100 ditëshin e qeverisjes KURTI

Lidhja Demokratike e Kosovës në prag të 100 ditëshit ka kritikuar Qeverinë Kurti për keqmenaxhim dhe mungesë të dijës në udhëheqje. Në LDK thonë se këto tre muaj janë karakterizuar me mohimin e të gjitha premtimeve që janë dhënë gjatë fushatës dhe me skandale të njëpasnjëshme diplomatike.

Në partinë e Lumir Abdixhikut e konsiderojnë joserioze edhe qesharake insistimin e kryeministrit Kurti për njohje në takimin me presidentin serb në Bruksel. Derisa ia rikujtojnë të parit të qeverisë rëndësinë e ruajtjes së raporteve me aleatët ndërkombëtar. 

Anëtarja e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Sahatqija thotë për KosovaPress, se në rreth 100 ditë qeverisje u panë se gjitha kauzat e Lëvizjes Vetëvendosje kanë qenë vetëm për përftime elektorale. 

“Sa i përket këtyre 100 ditëve kemi parë një menaxhim jo të mirë të shëndetësisë, kemi parë një qasje jo të mirë diplomatike, kanë qenë skandalet e njëpasnjëshme në diplomacinë kosovare, ka pasur një ndryshim të fjalëve, jo CEFTA, jo premtimeve. Në fakt nuk e di a është realizuar një prej panumërt premtimeve të cilat zotëri Kurti kanë fituar këto zgjedhje. Prandaj këto 100 ditë janë karakterizuar me mohimin e të gjithë atyre premtimeve që janë dhënë, jo vetëm gjatë fushatës, por gjatë shumë viteve si parti në Kuvendin e Kosovës. Po ashtu edhe një mungesë e dijës së menaxhimit, që shumë kush e ka quajtur qeveri e praktikantëve”, thotë Sahatqija. 

Sahatqija thotë se sjellja e kryeministrit Kurti është më shumë për mosvazhdim të dialogut, derisa deklaron se kreu qeveritar ka degraduar në nivelin e kërkesës për njohje të Kosovës, ku sipas presidentin serb, Vuçiq iu është kërkuar dhjetë herë njohja. 

Sipas tij, kjo është qesharake, pasi nuk e di si ka menduar kryeministri se në tentimin e tetë apo nëntë do t’ia ndërrojë mendjen Vuçiqit. 

“Sjellja e kryeministrit më tepër ka qenë për mos vazhdim të dialogut sesa për vazhdim të dialogut. Ne dëgjuam edhe prej presidentit Vuçiq, shpresojmë të mos ketë qenë ashtu dhe nuk ka degradu në atë nivel se a do ta njeh Kosovën. Nuk e di, ndoshta ka pritur që në tentimin e tetë, apo të nëntë mos po i ndërron mendja presidentit Vuçiq që është qesharake dhe totalisht jo serioze. Në anën tjetër, kjo metodë përdorët kur dëshiron me arrit efektin e kundërt. Kur dëshiron mos me njohë, atëherë e pyet a do ta njeh që kundërshtari yti të forcon edhe më tepër pozicionin kundërshtues ndaj teje. Nëse kjo ka qenë, atëherë është edhe një pikë tjetër që tregon jo seriozitetin dhe mos gatishmërinë e marrjes së përgjegjësisë, por në fakt vetëm ikje prej përgjegjësisë”, thotë ajo. 

Lidhur me propozimet tjera në takimin e së martës, ish diplomatja kosovare thotë se ato ishin më shumë për konsum të brendshëm. 

“Propozime për njohje do të duhej të ishte propozim i përgatitur seriozisht dhe jo të huqet menjëherë, në radhë të parë dhe të humben shanset për arritjen deri në rezultatin e dëshiruar, që është njohja. Do të duhej në një mënyrë më sistemore dhe diplomatike të përgatitur të shkohet deri të caku, nëse veç e dëshiron atë cakë. Përndryshe nëse dëshiron vetëm me huq plumbin, atëherë është lehtë me gjuajt në fillim dhe mos me pas mundësi me u kthyer atje. Sa i përket Ondalloviqit në njërën anë është mirë që të kërkohet, po koncetrimi vetëm tek ai tregon ulje të nivelit dhe seriozitetit. Sepse kryeministri është ulur në tavolinë me ish ministrin dhe zyrtarin e lartë të Millosheviqit, e ai nuk i pengon, por i pengon dikush tjetër. Edhe kjo mendoj se ka qenë për konsum të brendshëm dhe mund të them se e gjithë vizita ka pasur ndjenjën e patjetërsueshme të një komunikimi diku thellë në degë dhe nëndegë në Kosovë, se sa një takim diplomatik i burrështetasve që synon të arrijnë diçka”, deklaron Sahatqija. 

Krahas këtyre, anëtarja e kryesisë së LDK-së, thotë se kryeministri Kurti duhet të jetë më serioz dhe të ketë një koordinim më të fuqishëm me aleatët ndërkombëtar. 

“Në pozitën e të parit të qeverisë, do të duhej të jetë më serioz dhe të ketë një koordinim më të fuqishëm përmes ambasadës me ShBA-në sepse ne e dimë historikisht se pas përfshirjen e ShBA-së, asnjë marrëveshje nuk ka qenë në favor të Kosovës. ShBA janë partneri ynë strategjik, më i rëndësishmi, garracë që Kosova të ketë një përfundim të dialogut dhe marrëveshje finale në favor. Kjo sjellje e pakoordinuar me administratën e ShBA-së nuk i bënë nder dhe nuk i ndihmon Kosovës”, thekson Sahatqija. 

Të martën e javës së ardhshme, më 22 qershor bëhen tre muaj nga votimi i qeverisë Kurti në Kuvendin e Kosovës.