Rastet e dhunës në familje përveçse po ndodhin çdo ditë, ato edhe po raportohen çdo ditë tek organet e rendit, mirëpo ndonëse raportimi i tyre është i vazhdueshëm, nuk mund të thuhet se vërehet progres në aspektin e parandalimit dhe luftimit të kësaj dukurie, shkruan Gazeta Sinjali.
Sinjali merr vesh brenda burimeve të saj në Polici se vetëm gjatë 24-orëve të fundit, në vendin tonë janë raportuar 5 raste të dhunës në familje, në qytetet Gjakovë, Gjilan, Deçan, Drenas e Fushë Kosovë.
Sinjali pak më herët ka njoftuar për rastin, i cili ka ndodhur në fshatin Marmull të Gjakovës ku 47-vjeçari e ka kërcënuar me jetë gruan e tij 45-vjeçare, mirëpo pas kryerjes së kësaj vepre, ai ka ikur në arrati.
Ndërsa, në rrugën “Pal Paluci” në Fushë Kosovë, është arrestuar një person, pasi që dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj babait të tij. Sinjali ka mësuar nga burimet e saj se i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa si pasojë e dhunës së shkaktuar nga i dyshuari, viktima nuk ka pranuar që të marrë trajtim mjekësor.
Sinjali po ashtu ka mësuar në Drenas, në fshatin Abri e Epërme, para dy ditësh, një grua ka raportuar se është viktimës e dhunës së vazhdueshme psiqike, si dhe disa veprimeve të tjera nga vjehrri i saj.
Burimet e Sinjalit thonë se pas raportimit janë hapur hetimet lidhur me rastin.
Një rast tjetër përgjatë këtyre 24-orëve ka ndodhur në rrugën “Enver Miftari” në Gjilan, ku një person nën ndikim të alkoolit e ka sumuar bashkëshorten e tij.
Lidhur me këtë rast, Sinjali merr vesh se si pasojë e lëndimeve të shkaktuara nga dhuna fizike, viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari ka pranuar tretman për shkak të përdorimit të alkoolit. Pas trajtimit mjekësor, ai është dërguar në mbajtje dhe pret të dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake brenda 48-orëve, për t’u vendosur se a do të lirohet apo çfarë mase për sigurimin e pranisë së tij do të caktohet.
Dhunës në familje nuk i ka “shpëtuar” as Komuna e Deçanit, sepse një banor i fshatit Llukë e Ultë të kësaj komune i ka thënë Sinjalit se një i afërm i tyre, i moshës 20 vjeçare është arrestuar për shkak se kishte sulmuar fizikisht prindin e tij, në moshë 50-vjeçare dhe motrën e tij, 23-vjeçare.
Sinjali merr vesh se prindërve u janë shkaktuar lëndime trupore dhe pas tretmanit mjekësor janë dërguar për në shtëpi, mirëpo lidhur me fatin e të dyshuarit do vendosë gjyqtari i procedurës paraprake, pasi që ai pas arrestimit është dërguar në mbajtje, ku do të qëndrojë për 48-orë.
Këto burime i kanë thënë Sinjalit se i arrestuari dyshohet të ketë probleme psiqike