Sot, me bashkëpunëtorë e me kandidatin tonë Dr. Ardian Shalën, gjithë paraditën e pasditën e kaluam në Suharekë.
Në mëngjes nderuam varrin e ish-kryetarit të LDK-së e Suharekës Ukë Bytyçit; dhe dy shoqëruesve të tij Bafti Bajrami dhe Bajram Bytyçi. Nderuam dëshmorët e UÇK-së, Imer e Skender Bytyçi. Pasdite nderuam edhe dëshmorin e kombit, Kenan Halimi. Nderuam Dëshmorët e Studençanit, Dëshmorët dhe Martirët e Grejkocit; Dëshmorët dhe Martirët e Bllacës. Vizituam edhe kullën e heroit të kombit Ramë Bllaca; një inspirim për breza të tërë.
Ditën e kalova sot, në fshatrat Semetisht, Studençan, Nëpërbisht, Grejkoc e Bllacë. U prita nga familje patriotike, atdhetare, punëtore; nga qytetarët e Suharekës. Këtu takova bujq e fermerë, punëtorë e familje që me punën e tyre na bëjnë zemrën mal gjithandej nëpër Kosovë. Takova të rinj e të reja; burra e gra, veprimtarë të devotshëm që s’shteren kurrë së vepruari.
Suhareka është vend i gjallërisë, vend që ka nxjerrë gjenerata të arta të patriotëve, punëtorëve, intelektualëve, artistëve e sportistëve. Është vendi i vreshtave e i tokave bujqësore; vendi që i jep Kosovës aq shumë – njerëz e të mira pa dallim.
Në Suharekë prezantova edhe Dr. Ardian Shalën – kandidatin tonë për zgjedhjet lokale të vjeshtës. Ai përveç se është një doktor i mirë, është edhe një kryetar i denjë i Suharekës. E njeh këtë vend në themel; i njeh njerëzit, lagjet, problemet e sfidat – zgjidhjet padyshim.
Ardiani, 43 vjeçar, kardiolog, baba i Aulonës e Nezardit dhe bashkëshort i përkushtuar i Albinës, mësueses së dalluar të shkollës 7 Marsi; asambleist në dy mandate, deputet i Parlamentit të Republikës në një mandat, anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe natyrisht i pari i LDK-së në Suharekë prej 2 vjetësh – është kandidati dhe kryetari më adekuat për Suharekë.
Ju ftoj të gjithëve që të na bashkoheni në këtë rrugëtim drejt fitores së LDK-së në Suharekë me Ardianin, i cili deri sot është njohur vetëm si mjeku i zemrës. Ju siguroj se prej 17 tetorit, Ardian Shala do të njihet edhe si kryetari juaj i zemrës, sepse do ta bëjë këtë vend më të mirë për ju e për gjeneratat që vijnë pas jush, me dashni e angazhim maksimal.
Ju faleminderit!/ Thuhet në postimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku i cili sot gjatë ditës ka qëndrur në Suharekë.