GJITHÇKA GATI PËR PËR MBARËVAJTJEN E PROVIMIT SHTETËROR TË MATURËS

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) , ka bërë të gjitha përgatitjet finale për mbarëvajtjen e provimit shtetëror të maturës, i cili do të mbahet të shtunën më 26 qershor. Ministria, ka bërë të ditur për Radio Kosovën, se kriteri i kalueshmërisë do të jetë i njëjtë, ndërsa ka theksuar se të gjithë shkelësit e rregullave do të ndëshkohen sipas ligjit në fuqi.

Rreth 24 mijë maturantë pritet t’i nënshtrohen provimit shtetëror të maturës, i cili do të mbahet më 26 qershor. Udhëheqësi i Divizionit për Vlerësim e Standarde në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Elezit, tha për Radio Kosovën se Ministria së bashku me Komisionin Shtetëror të Maturës kanë bërë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e testit, ku në koordinim me drejtoritë komunale të arsimit, janë caktuar edhe qendrat e testimit në nivel vendi.

Elezi foli edhe për mënyrën e administrimit të testit, deri sa sqaroi se do të ketë edhe ndëshkime për ata që shkelin rregullat.

Ndërkohë, pavarësisht situatës me pandeminë Ministria e Arsimit ka thënë se kriteri i kalueshmërisë do të mbetet i njëjtë, pasi kjo gjë është e përcaktuar me ligj. Njohësi i çështjeve të Arsimit, Mustafë Kadriu, tha se vlerësimi duhet t’i përshtatet edhe rrethanave se si është organizuar mësimi gjatë këtij viti.

Ministria e Arsimit, ka bërë të ditur se në ditën e testimit në çdo bankë do të sistemohet nga një nxënës, ndërkaq në çdo klasë do të lejohen më së shumti 15 maturantë. Ministria e Arsimit, ka kërkuar nga DKA-të që çfarëdo parregullsie eventuale në qendrat e testimit, të raportohen me shkrim. Ndërsa, ndaj të gjithë personave të angazhuar në proces, të cilët nuk i realizojnë detyrat e caktuara me kompetencë dhe profesionalizëm të lartë, do të kërkohet përgjegjësi. Rezultatet e provimit të maturës shtetërore pritet të shpallen më 5 korrik, ndërsa nxënësit kanë tre ditë kohë për ankesa.