SUHAREKË: KOMPANIA NDËRTIMORE I DËMTON RRJETIN E UJËSJELLËSIT- I DËMTUARI KËRKON 5000€

Suharekë – Me dëgjimin e ekspertes së hidroteknikës Lule Veselaj, ka vazhduar gjykimi në çështjen ku paditësi Pajazit Kadolli po kërkon pesë mijë euro dëmshpërblim nga firma ndërtimore “Krasniqi”, e cila kishte ndërprerë furnizimin me ujë gjatë punimin për ndërtimin e rrjetit të kanalizimit.

Ekspertja Veselaj është ftuar në seancën e së mërkurës ta sqarojë mendimin e dhënë në ekspertizë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Duke u përgjigjur në pyetjet e përfaqësueses së paditësit, avokates Nadire Hoxha, ekspertja ka sqaruar se si ka ardhur në përfundim se vlera e dëmit është 3,200 euro.

“Kam dal në terren, e kam matur trasenë nga fillimi i furnizimit me ujë e deri të shkarkimi i pronës së paditësit, gjatësia e trasesë ka qenë 800 metra, në kalkulim janë përfshirë edhe pozicionet e parapara si në ekspertizë”, ka shpjeguar ajo.

Ndërkaq duke u përgjigjur në pyetjet e të autorizuarit të palës paditëse, avokatit Qendrim Krasniqi, ekspertja Veselaj ka deklaruar se rruga e trasesë ku janë realizuar punimet ka qenë pronë shtetërore dhe dëmet materiale janë shkaktuar përgjatë trasesë.

Pas dëgjimit të saj, gjyqtari Shaban Zeqiraj ka obliguar paditësin Kadolli që ekspertes t’ia paguajë shumën prej 200 euro, në emër të ekspertizës.

Kurse, ai ka kërkuar nga palët që afatin prej 10 ditëve t’ia dorëzojnë gjykatës fjalën e tyre përfundimtare.

Sipas padisë të dorëzuar në gjykatë në janar të vitit 2018, e paditura firma ndërtimore “Krasniqi” gjatë kryerjes së punimeve për ndërtimin e rrjetit të kanalizimit në fshatin Bukosh, ia ka ndërprerë furnizimin me ujë paditësit.

Kjo ka ardhur nga pakujdesia e të paditurës gjatë rrëmihjes dhe hapjes së kanaleve, duke dëmtuar kështu gypat e ujit të cilët paditësi i kishte vendosur 20 vite më parë, si i vetmi burim që kanë pasur.

Andaj, përmes kësaj padie ka kërkuar nga e paditura firma ndërtimore “Krasniqi” që dëmin në vlerë prej 5,000 euro t’ia paguajë me kamatë 4% nga dita e parashtrimit të padisë e deri në pagesën definitive, si dhe shpenzimet procedurale. Të gjitha këto në afatin prej 15 ditësh, nën kërcënimin e përmbarimit të dhunshëm.

Në këtë kontest e paditur ka qenë edhe Komuna e Suharekës, mirëpo me precizimin e mëvonshëm të padisë, e autorizuara e paditësit avokatja Nadire Hoxha e ka paditur vetëm Firmën Ndërtimore “Krasniqi” si i vetmi person përgjegjës për dëmshpërblim.