Gazeta Sinjali raportoi për një rast që ka ndodhur të premten në Malishevë, por që vetëm sot është denoncuar në polici.
Në fshatin Senik të Malishevës, dy persona dyshohen se e kanë rrahur me shkop bejsbolli një qytetar, të cilit i kanë shkaktuar lëndime të rënda në kokë.
Gazeta Sinjali mëson se të dyshuarit për këtë rast janë Ujkan Lataj dhe Fiton Mazrekaj.
Si erdhi deri te rrahja?
Ujkan Lataj dhe Fiton Mazrekaj të premten kishin pasur një mosmarrëveshje me një person në restorantin “Kështjella”, që gjendet në fshatin Banjë të Malishevës.
Por, kjo mosmarrëveshje nuk mori fund në restorant. Këto burime bëjnë të ditur për Sinjalin se Ujkani dhe Fitoni e kishin ndjekur me veturë, veturën e të dëmtuarit në drejtim të fshatit Senik.
Pastaj, kur kishin mbërritur në këtë fshat, ata dyshohet se ia kanë bllokuar rrugën me veturë dhe më pas kanë dakë në rrugë dhe e kanë goditur qytetarin me mjet të fortë (dyshohet me shkop bejsbolli).
Për shkak të goditjeve me këtë mjet, Fitoni dhe Ujkani dyshohen se i kanë shkaktuar atij lëndime të rënda në kokë.
Sinjali merr vesh se Policia e Kosovës ka arritur që t’i arrestojë dy të dyshuarit për këtë rast, të cilët me vendim të prokurorit, u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.