MPB ndau nga 960 euro për gjithë stafin e Agjencisë së Shërbimit Emergjent (AME), nga mjetet që ishin dedikuar vetëm për kompensimin e zjarrfikësve për punën e bërë jashtë orarit.
Gjithsej 107 mijë e 856 euro është shuma e kompensimit të stafit të AME-së gjatë vitit 2020, ndonëse mjetet në fjalë ishin të dedikuara për zjarrfikësit. Këtë pagë stafi i AME-së e kishin marrë me pagën e muajit mars të 2020-s, pra nga 960 euro për secilin, përcjell Buletini Ekonomik.
Mjetet në vlerë të 179 mijë e 424 euro, që ishin ndarë me buxhetin e miratuar të 2020-s për zjarrëfikësit, për kompensimin e orëve shtesë të mbajtura dhe ndërrimeve të natës, ishin shpërndarë me aprovim të Drejtorit të vet Agjencisë së Menaxhimit Emergjent dhe ZKF-së në mënyrë proporcionale me gjithë stafin e AME-së. Kështu shumica e këtyre mjeteve kishin shkuar për 107 punonjës në AME, staf ky që nuk janë zjarrfikës, kurse vetëm 71 mijë e 568 euro kishin shkuar për kompensimin e 71 zjarrëfikësve.Reklama e sponzorizuar
“Mjetet në vlerë 179,424€, të ndara me buxhet për zjarrfikësit për pagesën e orëve shtesë, ndërrimeve të natës dhe festave, ishin shpërndarë me aprovim të Drejtorit të AME-së dhe ZKF-së në mënyrë proporcionale për të gjithë stafin e AME-së (71 zjarrfikës dhe 107 staf tjetër). Si rrjedhojë i gjithë stafi kishte përfituar kompensim në vlerë 960€ (bruto) në pagën e muajit mars të vitit 2020. Shuma e kompensimit për stafin që nuk janë zjarrfikës përfshirë edhe kontributin e punëdhënësit ishte 107,856€”, thuhet në raportin e Auditimit për MPB nga Zyra Kombëtare e Auditimit.
Madje, për këtë vlerë nuk i është ofruar asnjë dëshmi ZKA-së që e arsyeton shpenzimin e ndodhur për mbajtjen e orëve shtesë, punën në ndërrimin e natës apo punën gjatë festave. Kjo kishte ndodhur për shkak të analizave të pa mjaftueshme për ta shpenzuar buxhetin e ndarë në përputhje me qëllimin e dedikuar.
Por, devijimi i shpenzimeve nga qëllimi i dedikuar, ZKA-ja thotë se ka ndikuar në shpenzimin jo racional të buxhetit. Prandaj rekomandon që Ministri dhe Drejtori i AME-së duhet të marrin masa për të siguruar kthimin e mjeteve të paguara për stafin që nuk janë zjarrfikës dhe të sigurojë që mos të ndodhin në të ardhmen pagesa që nuk janë në pajtim me legjislacionin në fuqi.
Ndryshe, buxheti i ndarë për kategorinë paga dhe mëditje për Agjencinë e Menaxhimit Emergjent gjatë vitit 2020 ishte gjithsej 1 milionë e 426 mijë e 442 euro. (Mirjeta Shabani)/Buletini Ekonomik/