Gjithsej 12 milionë e 778 mijë e 405 euro kanë shkuar për financimin e disa OJQ-ve nga buxheti i shtetit gjatë vitit 2019, ku disa prej tyre madje ishin bërë pa kurrfarë shpalljeje publike dhe pa plotësim të kritereve të duhura.
Këto para ishin shpërndarë pothuajse “paushall” nga buxheti i disa prej institucioneve më të rëndësishme të shtetit, përcjell Buletini Ekonomik.
Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e saj për vitin 2019, për Transparencën dhe llogaridhënien në procesin e financimit të organizatave jo-qeveritare nga institucionet publike, ka gjetur shumë mangësi, duke përfshirë financimet pa thirrje publike, financime pa plotësimin e kritereve, dështim të institucioneve në procesin e monitorimit, mungesë të raporteve të zbatimit të projekteve, si dhe financime të dyfishta për të njëjtin projekt nga dy ose tri institucione publike.Reklama e sponzorizuar
Nga totali i financimit publik për OJQ-të gjatë vitit 2019, përqindjen më të madhe të financimit e kishin ministritë, pasuar nga komunat, rezervat shtetërore dhe Zyra e Kryeministrit (ZKM).
Sipas auditimit nga ZKA-ja, ministritë të cilat kanë qenë financueset më të mëdha të OJQ-ve ishin Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me rreth 4.4 milion euro, pasuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik me rreth 4 milion euro, si dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë me rreth 1.7 milion euro.
Zyra e Kryeministrit kishte financuar gjatë 2019-s, OJQ-të me rreth 516 mijë euro dhe 867,725 euro tjera me vendime të Qeverisë nga Rezerva Shtetërore.
Ndërsa nga niveli lokal, komuna e Prishtinës është mbështetësja më e madhe financiare e OJQ- ve, e cila ka financuar me 651 mijë e 956 euro pasuar nga ajo e Ferizajt me 642 mijë e 724 euro.
E fushat të cilat kanë përfituar në masë më të madhe nga fondet publike janë ajo e sportit, ambientit, barazisë gjinore, ndërmarrësisë dhe kategorive të prekura nga lufta.
Prej gjithë financimeve nga këto institucione, 197 mijë e 649 euro ishin dhënë si financime direkte, pra pa bërë thirrje publike fare. Rrjedhimisht, institucionet kishin përzgjedhur OJQ-të pa ndjekur hapat dhe duke anashkaluar plotësimin e kritereve të nevojshme sipas rregulloreve për financim të projekteve.
Ministria e Kulturës (MKRS) kishte financuar OJQ-të në mënyrë direkte pa thirrje publike, në një përqindje dukshëm më të madhe sesa të gjitha institucionet tjera financuese. Këto financime, sipas Auditorit, kryesisht ishin realizuar nga Departamenti i Sportit, për përkrahjen e federatave dhe klubeve sportive, Komitetin Olimpik, etj.
Mirëpo këto financime janë të rregulluara me Ligjin për Sportin dhe Rregulloren për subvencionimin në fushën e kulturës, trashëgimisë kulturore, sportit, dhe si rezultat përjashtohen kriteret dhe procedurat e rregullores për financimin e OJQ-ve, thonë nga ZKA.
Nga katër mostrat e analizuara në Departamentin e Sportit nga ZKA, dy prej tyre ishin Federata e Basketbollit e cila kishte përfituar fonde në vlerë prej 106 mijë euro, dhe Federata e Skitarisë kishte përfituar 21 mijë e 456 euro, të cilat ishin financuar sipas kritereve të Ligjit për Sportin dhe Rregullores për subvencionimin në fushën sportit.
Ndërsa, dy mostrat tjera me tituj të projekteve “Sensibilizimi i të rinjve për mbarë Komunitetin” në vlerë prej 3,000 euro dhe “Pjesëmarrja në Maratonën e Shkupit – 2019” në vlerë prej 1,663.43 euro, ishin financuar nga MKRS edhe pse financimi i tyre nuk është i rregulluar me Ligjin për Sportin dhe për subvencionimin në fushën sportit, por të njëjtat ishin financuar në mënyrë direkte duke mos zbatuar as kriteret e Rregullores për financimin e OJQ-ve.
E arsyetimi dhënë ZKA-së, nga Departamenti i Sportit lidhur me financimin e OJQ-ve në mënyrë direkte pa thirrje publike, ishte se këto financime janë realizuar duke u bazuar se projektet e financuara janë nën petkun sportiv.
Lidhur me financimet direkte pa thirrje publike, ZKA ka analizuar edhe financimet nga departamentet tjera në kuadër të MKRS-së. Kështu, Departamenti i Trashëgimisë Kulturore kishte përkrahur financiarisht OJQ-të në mënyrë direkte, pa thirrje publike për aktivitetet kulturore me tituj “Muzeu Etnografik në Kukaj” në vlerë prej 9,950 euro dhe projektin “Vallet e Karadakut –II” në vlerë prej 4,100 euro. Këto financime ishin realizuar vetëm më kërkesë të OJQ-ve dhe nuk është dhënë ndonjë arsyetim tjetër për ZKA-në nga ky departament për këtë formë të financimit.
Ndërkohë, nga Zyra e Kryeministrit ishin financuar OJQ-të në vlerë prej gjithsej 41 mijë eurove në mënyrë direkte pa thirrje publike, pa vlerësim të projektit dhe plus pa komision vlerësues.
Financimi i OJQ-së me titull të projektit “Manifestimi i Javës së Egjiptiane – 24 Qershori” kishte përfituar fonde në vlerë prej 12 mijë eurove, financimi i OJQ-së me titull “Festimi i Pavarësisë“ në vlerë prej 9 mijë eurove, si dhe “Manifestimi i ditës së Komunitetit Turk” në vlerë prej 20 mijë eurove gjatë vitit 2019. Këto financime direkte, nga ZKM-ja ishin arsyetuar përmes një vendimi të Qeverisë të vitit 2017, i cili kishte të bënte me financimin e festave të komuniteteve të Kosovës. Por pavarësisht kësaj, Auditori thotë se ky vendim ishte vetëm për vitin 2017, andaj kjo nuk e arsyeton financimin direkt pa thirrje publike për vitin 2019.
Ndërsa, komuna e Prishtinës ka ndarë gjithsej 11 mijë e 980 euro në mënyrë direkte për OJQ-të, pra pa thirrje publike.
Kështu, kryetari Shpend Ahmeti gjatë 2019 kishte shpërblyer dy kopshte fëmijësh parashkollore të regjistruara si OJQ, me 10 mijë e 480 euro, pa shpallje publike për financim të tyre.
Kurse OJQ-në tjetër me titull të projektit “Njohja e vlerës së kulturës së qytetit të Prishtinës” e kishte shpërblyer me një shumë prej 1 mijë e 500 eurove, prapë duke mos ndjekur procedurat dhe kriteret tjera për financimin e tyre.
Nga ZKA- thonë se fillimisht dokumentacioni i ofruar nga komuna e Prishtinës është i mangët pasi që janë prezantuar vetëm financimet e fëmijëve për qëndrim ditor, ndërsa nuk ka dokumentacion tjetër mbështetës, dhe në mungesë të dokumentacionit nuk ka qenë e mundur të vlerësohet nëse është arritur qëllimi apo jo për këto dy projekte.
Ndyshe, financimet direkte nga institucionet publike si: ZKM, MKRS dhe KP, pa thirrje publike, dhe pa zbatimin e kritereve tjera gjatë procesit të financimit të OJQ-ve, sipas ZKA-së rrisin rrezikun për diskriminim, jo barazi në financimin e përfituesve dhe për keqpërdorimin e fondeve publike. Gjithashtu, kjo nuk ofron as transparencë në procesin e financimit dhe kufizon konkurrencën mes OJQ-ve. (Mirjeta Shabani)/Buletini Ekonomik/