Në gjashtë muajt e parë të vitit 2021 ka pasur një rritje të kërkesave për vërtetim nga mjekët për t’u larguar nga Kosova. Nga ky komunitet thonë se e vetmja mënyrë për të ndalur këtë trend është të ndryshohet Ligji për Shëndetësi dhe njëkohësisht të bëhet Ligji i Pagave.
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, tha se projeksioni i largimit të mjekëve për këtë vit pritet të shkojë deri në 120.
Tutje, ai tha se janë në përfundim të një sondazhi të cilin do ta publikojnë brenda dy javëve të ardhshme rreth kënaqësisë që kanë mjekët e rinj gjatë shkollimit të tyre në Kosovë.
“Gjatë 3 vjetëve të fundit ne kemi pasur një shifër prej 110 mjekëve që shkojnë për çdo vjet shumica prej tyre 80% mjekë të rinj të posa diplomuar dhe në 6 mujorshin e parë ne kemi një rritje ku 62 mjekë kanë marrë vërtetimin për t’u larguar nga Kosova që nëse shkon me këtë projeksion e kemi 120 mjekë që largohen. Një rritje e cila përkundër këtyre bllokadave si nga Covidi për komunikime dhe kontakte direkte dhe ajo e vizave. Kështu që ky trend veçse ka dhënë sinjal se do të rritet dhe është brengosës. Fakti që dhënia e specializimeve është në masë nuk ka qenë i mjaftueshëm që të qëndrojnë këtu sepse në vend të parë kanë qenë kushtet e punës dhe specializimeve. Definitivisht është çështja e ngritjes së kapaciteteve për t’iu ofruar trajnime dhe shkollime e këtyre mjekëve ashtu siç duhet kushtet e punës dhe shkollimit të tyre i cili është i mangët. Tani jemi në përfundim të një sondazhi të cilin do ta publikojmë brenda dy javëve të ardhshme rreth kënaqësisë apo satisfakcionit që kanë mjekët e rinj gjatë shkollimit të tyre në Kosovë. Të gjithë janë të brengosur për kualitetin e arsimit dhe fazës së dytë të shkollimit të tyre specialistik”, tha Sejdiu për EO.
Ndërsa, kryetari i Federatës së Sindikatës të Shëndetësisë në Kosovë, Blerim Syla, ka thënë se në kohën e pandemisë Qeveria aktuale i ndërpreu edhe ato pak stimulime për mjekë dhe infermierë me arsyetime që ai i quan banale.
“Në kohën e pandemisë kur ne mjekët dhe infermierët ishim heronj, kemi punuar pa pushim. Mirëpo mu në kohën e pandemisë Qeveria aktuale i ndërprenë edhe ato pak stimulime me arsyetimin më banal. Ky është shembull i ofendimit të dinjitetit dhe integritetit të punëtorëve shëndetësor“, tha ai