Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se “të larguarit” nga kjo parti, do të rikthehen “në shtëpinë e tyre të dikurshme dhe bashkarisht do e rikthejnë partinë në vendin e saj origjinal”.
Këto deklarime i pari i LDK-së i bërë në një tubim në Lipjan, duke shtuar se në zgjedhjet e tetorit, “duhet përfunduar gara me të parën, me Lipjanin si kampion”.
Abdixhiku tha se shtigjet e ecjes në Lipjan është model që secili qytetarë në Kosovë duhet ta ketë, si dhe shembull që secila komunë duhet ta arrijë. Ai tha se kryetari Imri Ahmeti është bërë shembull për të gjithë.
“Qyteti antik, Ulpiana e dikurshme e Lipjani i sotëm është transformuar në një qytet shembull për secilin prej nesh, prandaj sot të gjithë ndihemi mirë, e si të mos ndihemi mirë kur një shteg si ky shoqërohet me gjelbërim gjithandej, me një shesh qyteti që i jep jetë e shpirt për çdo mbrëmje, në verë e në dimër pa dallim, me parqe atraktive, ndriçime rrugësh e rrugicash, me stadium qyteti, me rrugë të zgjeruara e me projekte transformuese që jetën këtu e bëjnë fare të lehtë, ku mërgimtarët ndihen të mirëseardhur siç thonë ata Zvicër andej, Zvicër këndej. Gjithë ky transformim është si falënderim për secilin prej jush, është puna juaj e përditshme, e ndershme dhe e sinqertë që ka sjellë këtë ndryshim, por mbi të gjitha mban për falënderim kryetarin tuajin e tonin, mikun tim e tuajin, Imri Ahmeti“, tha ai.
Abdixhiku ka thënë se puna e të parit të Lipjanit po vlerësohet nga çdo raport vendor e ndërkombëtar, si puna më e mirë në Kosovë.
“Gjatë gjithë këtyre viteve dhe gjatë gjithë ecjes tonë të përbashkët, për të gjitha rezultatet e arritura në Lipjan, e sot komuna jonë është ndër komunat më të mira në Kosovë, sepse vazhdimisht është në krye të tabelës për përformancë të mirë, është kontribut dhe angazhim i qytetarëve të Lipjanit, është angazhim i strukturave dhe i gjithë juve që na përcjelltë vazhdimisht me punën dhe aktivitete të mira”, tha ai./KSP/