Suharekë – Të mërkurën, Gjykata Themelore në Prizren, dega në Suharekë, ka refuzuar kërkesën për hudhje të aktakuzës ndaj të akuzuarit për kanosje, Burim Kotorri.
Këtë aktvendim, gjykatësi Lavdim Bajraktari e ka marrë pasi që ka konsideruar se aktakuza nuk përmban shkelje dhe se është e ngritur konform dispozitave të Kodit Penal.
Mbrojtësi i angazhuar sipas detyrës zyrtare i të akuzuarit Kotorri, avokati Shaqir Sedolli deklaroi se mbetet pranë kërkesës për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave dhe se nuk ka propozime për ndonjë provë apo për dëgjimin e ndonjë dëshmitari.
Deklaratën e tij e ka mbështetur i akuzuari Kotorri, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërsa prokurori Atnor Skoro ka deklaruar se e kundërshton kërkesën për hudhje të aktakuzës, duke shtuar se mbetet pranë aktakuzës.
Me qëllim të vërtetimit të plotë të gjendjes faktike, prokurori Skoro i ka propozuar gjykatës që të vazhdohet me shqyrtim gjyqësor.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, Burim Kotorri po akuzohet se më 28 korrik 2018, në fshatin Samadraxhë të Komunës së Suharekës, në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarit Fahredin Kotorri, i pandehuri për shkak të një mosmarrëveshje që ka me të dëmtuarin rreth një rruge, shkon në shtëpinë e të dëmtuarit dhe pas fjalosjes me të njejtin, i akuzuari me qëllim të shkaktimit të ankthit dhe pasigurisë e nxjerr thikën, mjet i përshtatshëm për shkaktimin e lëndimeve trupore, të cilën e mban në dorë dhe nuk del nga oborri i shtëpisë së të dëmtuarit gjersa vijnë zyrtarët policor, ashtu që te dëmtuari shkakton ankth, frikë dhe pasiguri për jetën e tij dhe familjes.
Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “kanosja” nga neni 185 paragrafi 2 i Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi