Ballkani po bën mjaft mirë në këtë sezon në Superligën e Kosovës. Nën drejtimin e Bledi Shkëmbit, ekipi ballkanas po shkëlqen duke qenë në rrugën e mbarë për titullin.
Trajneri korçar ka folur në një lidhje direkte me emisionin “Sport Time”, ku tregoi se presioni ishte problem kryesor te lojtarët, por edhe stafi drejtues. Dy vite rresht, skuadra e Ballkanit ka qenë pranë titullit, por në fund nuk ka arritur te trofeu dhe te Europa.
“Ishalla është e treta e vërteta. Mendoj që jemi afër. Po bëjmë punë të mirë. Ka rivalitet të madh mes skuadrave. Do të shohim deri në fund se si do të shkojë. Drita? Drita është një rival i fortë. Ka armë më të fortë eksperiencë. Pashë një kundërshtar të fortë që dinte se çfarë kërkonte. Pashë disa situata, vonesa të shumta loje që pengojnë ritmin e duhur”, ka thënë Shkëmbi, shkruan Newsport.
“Por, për t’i dhënë meritë kundërshtarit, është një nga kundërshtarët më të fortë tanët. Është mësuar të dalë kampionë dhe ka goxha eksperiencë. Në fakt mua nuk më pëlqen të akuzoj të tjerët. Ajo që duket, duket. Dhe ajo që dihet, dihet. Merrem më shumë me pjesën e fushës. S’më vjen mirë të akuzoj lojtarët e skuadrës tjetër. Për këtë pjesë mund të flasin të tjerët. Në kampionatet tona gjërat dihen qartë”.
“Për mendimin tim ashtu si u zhvillua loja ishte një pikë e vlefshme. Patëm mundësi ta fitonim ndeshjen, arbitri gaboi në një moment. Në një ndeshje derbi, mund të barazosh apo edhe mund të humbësh. Nuk është çudi që në ndeshjen e fundit të fitojmë”.
“Çdo ekip futbolli ka presion, ekipi im ka presion. Presioni te lojtarët vjen pas asaj që fituan vjet, por për disa minuta humbën të drejtën për titullin, por edhe për Europën. Lojtarët dhe klubi e vuajnë këtë pjesë. Unë personalisht mendoj ta ul këtë presion dhe ndeshje pas ndeshje të marrim rezultatet e duhura”, ka thënë ai.