Lajmi i Fundit

Qeveria merr vendim për shtesat e pensionistëve dhe familjet me asistencë sociale

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhje, ndërsa u vendos që të vazhdohet mbështetja me shtesa për pensionistët dhe familjet me asistencë sociale deri në fund të vitit

Hekuran Murati, ministër i Financave ka njoftuar se do të vazhdojë të vlejë pagesa shtesë prej 30 për qind mbi shumën mujore për përfituesit e skemës sociale dhe se do të vazhdojë shtesa për pensionistët që kanë marrë pension në vlera dyshifrore të mos marrin më pak se 100 euro në muaj.

“Këtë e bëjmë me synim të krijimit të një shoqërie të barabartë. E konsiderojmë të veçantë ashtu që të paguhen shtesat për periudhën deri në fund të vitit 2021”, ka thënë Murati.

Në këtë mbledhja u vendos edhe për anëtarët e Komisionit Qeveritar për njohjen e statusit të ish të dënuarve dhe ndjekurve politikë.

Qeveria e Kosovës, ka miratuar sot edhe Projektligjin për miratimin në Kuvend të Kosovës për marrëveshjen ndërkombëtare me vlerë prej 15 milionë euro, mjete këto të destinuara për distribuimin e vaksinave anti-COVID.

Sot Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe Strategjinë për sundimin e ligjit 2021-2026.