Kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka thënë se gjatë mandatit të tij në krye të komunës, ka punuar më shumë se që ka premtuar.
Muharremaj është shprehur se i ka përmbushur rreth 98% të zotimeve të tij që i ka bërë në fushatën e zgjedhjeve të kaluara komunale.
“Unë nuk kam premtuar, jam zotuar, zotimet i kam kryer diku 98%. Punët flasin vetë, jo vetëm që i kam kryer zotimet por kam punuar edhe më shumë se që jam zotuar. Punët shihen edhe vetë. Besoj që ka ndryshime në çdo pore të jetës. Unë i kam premtuar katër çerdhe për një mandat, unë besoj që të 8-tën jam duke e punuar. Kem ndërtuar shkolla të reja, salla sportive, kemi ndryshuar ambientin, është një model për të gjitha komunat e tjera. Kemi ndriçuar 36 fshatra, tash i kemi në plan edhe 10 , besoj që deri në fund të mandatit të ndriçohet komplet komuna e Suharekës, me 42 fshatra që janë. Rrugët për turizëm, janë duke u ndërtuar, kështu që ka ndryshime shumë të mëdha në komunën e Suharekës”, ka deklaruar Muharremaj.
Ai ka shtuar se i ka hyrë garës për mandatin e dytë në krye të Suharekës pasi konsideron se është problem që për një mandat të përmbushen të gjitha zotimet.
“Çdo herë kam thënë, edhe në zgjedhjet e vitit 2017, një mandat është pak, dy janë shumë, kështu që do t’i hyjë garës edhe për mandatin e dytë. Ndoshta pak është edhe problem që një kryetar i komunës t’i përfshijë obligimet që i merr t’i kryejë për një mandat pasi që ka shumë punë, gjërat kanë shkuar mirë në Suharekë, ka ndryshime, kështu që pse të mos vazhdojë edhe një mandat kur kanë nevojë dhe vlerësojnë qytetarët”, ka thënë Muharremaj.