Duke paralajmëruar fushatë “që s’është parë deri tash në Kosovë”, kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, ka shprehur bindjen se do të jetë fitues qysh në rundin e parë të zgjedhjeve lokale më 17 tetor.
Në Interaktiv të KTV-së, Muharremaj ka thënë se i respekton kundërkandidatët por ka shtuar se është “100 për qind i bindur në fitoren e rundit të parë”.
“Programin e kam realizuar. Do të dal me program të ri së shpejti. Qytetarët do të shohin a janë bë punët? A janë kryer zotimet? Do të ketë një risi. Më 15 shtator do të ketë disa gjëra që s’janë përdorur në asnjë fushatë deri tash. Do të jenë disa risi. Të gjithë do t’i merrni vesh më 15 shtator. Risi në të bërit fushatë. Disa modele të reja janë. Kam punuar që 4 vite. Është punuar për katër vite, e kanë parë qytetarët. Nëse jo, atëherë vështirë është të fitohet”, ka deklaruar ai në Interaktiv të KTV-së.
Sipas Muharremajt, gara në Suharekë do të jetë demokratike dhe fer. Ai ka thënë se nuk pret që fitorja e Vetëvendosjes në zgjedhjet e përgjithshme të japë frymë të ngjashme edhe në Suharekë në zgjedhjet lokale.
“Do të jetë garë interesante. Po ta dija që do t’i mposht s’do të hyja në garë. Kam hy që të fitoj dhe besoj se do të fitoj – të gjithë kanë hy për të fituar, por besoj se do të dal fitues bindshëm. Do të fitoj në rund të parë, s’do të ketë rund të dytë. Të gjithë po të bëhen bashkë, do t’i fitoj unë zgjedhjet më 17 tetor”, ka shtuar ai duke deklaruar se AAK-ja “do të rrisë edhe numrin e asamblistëve”.
Duke folur për situatën e fundit me pandeminë, Muharremaj ka thënë se në Suharekë një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve tashmë janë vaksinuar. Ai ka thënë se ka kërkuar një qendër tjetër vaksinimi në këtë komunë, por ka shtuar se kjo është vështirë e realizueshme për shkak të problemeve në bartjen e sistemit të marrjes së informatave.
Ka thënë se vendi duhet të nisë në shtator me mësimin në shkolla, duke shtuar se mësimdhënësit në Suharekë janë vaksinuar në masë të madhe.