Pse u rritën shpejt rastet me COVID-19?

Prezenca e variantit Delta të COVID-19, i cili është më lehtë i transmetueshëm se sa variantet tjera, si dhe “masat konfuze” të vendosura nga Qeveria e Kosovës janë dy elemente që sipas infektologut Ilir Tolaj kanë ndikuar në rritjen enorme të rasteve të infeksionit ditëve të fundit në vend.

Sipas tij, duhet të rriten kapacitetet për të përshpejtuar vaksinimin, pasi thotë se kjo është mënyra e vetme për t’i bërë ballë kësaj situate.

Ai pohon se për t’u mbrojtur nga varianti Delta duhet të imunizohet mbi 90 për qind e popullsisë.

“Janë dy elemente që i kanë kontribuar kësaj situate. Në njërën anë është prezenca e variantit Delta i cili botërisht po njihet se ka një aftësi të përhapjes më të shpejtë dhe më të lehtë në mesin e popullatës së ndjeshme. Kur them popullatë e ndjeshme mendoj në ata që nuk e kanë kaluar infeksionin dhe ata që nuk janë vaksinuar me vaksinën anti-covid”, thotë Tolaj në RTV 21.

“Ana tjetër ka qenë që masat të cilat është dashur që të merren nga ana e autoriteteve qeveritare dhe shëndetësore kanë qenë konfuze, disa prej tyre jashtëzakonisht të vonuara për të mos thënë se në disa raste kanë qenë anakronike sepse janë lejuar të punojnë disa prej veprimtarive të cilat botërisht dihen se janë burim i infeksionit, gjegjësisht janë vend ku infeksioni përhapet shpejt, siç janë klubet e natës që u lejuan të punojnë edhe më gjatë”, shton Tolaj.

Ndryshe, për shkak të rritjes së viktimave dhe rasteve pozitive me COVID-19, Qeveria e Kosovës ka ashpërsuar masat kufizuese të cilat hyjnë në fuqi nesër, 20 gusht.