Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka informuar qytetarët se vaksinimi kundër Coronavirusit nuk e bën trupin mangenik.
“Marrja e vaksinës së COVID-19 nuk do t’ju bëjë magnetik, përfshirë vendin e vaksinimit, që zakonisht është krahu juaj”, thuhet në njoftimin e ambasadës në Facebook.
Më tej bëhet e ditur se vaksinat e COVID-19 nuk përmbajnë përbërës që mund të prodhojnë fushë elektromagnetike në vendin e injeksionit.
“Të gjitha vaksinat e COVID-19 janë të liruara nga metalet”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së, e cila ka bashkëngjitur edhe linkun për të mësuar më shumë rreth përbërësve në vaksinat e COVID-19 të autorizuara për përdorim në SHBA.
Ndryshe, në 24 orët e fundit janë dhënë 22.119 doza të vaksinës kundër COVID-19. Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 644.212 doza të vaksinës. Ndërsa, 221.026 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.