Fadil Muqolli nga Pokleku i Drenasit tash e 22 vjet që po pret drejtësi lidhur me vrasjen e katër fëmijëve të tij.
Muqollit në luftën e vitit 1999 iu vranë edhe prindërit dhe bashkëshortja e tij.
Ai ka thënë se pritja e tij që drejtësia për këto vrasje do të vihet në vend ka qenë e kotë deri më tani.
“E di që është ngritur një padi në Beograd në vitin 2015. Askush prej institucioneve, as të EULEX-it, as të UNMIK-ut, as këto tonat asgjë s’kanë bërë”, tha Muqolli.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë janë vrarë 13. 518 persona, kurse 1,630 janë ende të zhdukur.
Me gjykimet për krime lufte janë marrë gjykatat e UNMIK-ut, EULEX-it, Tribunali i Hagës dhe gjykatat e Kosovës.
Për 22 vjet që nga përfundimi i luftës, rreth 70 persona janë dënuar me aktgjykime të plotfuqishme për krime lufte.
Në anën tjetër, të mërkurën në Qeverinë e Kosovës u miratua një ndryshim-plotësim i Kodit të Procedurës Penale që pritet të rregullojë çështjen e gjykimit në mungesë të të akuzuarve.
Pjesëtarët e qeverisë e kanë quajtur këtë ndryshim një hap tutje që krimet, e posaçërisht ato të luftës, të mos lihen të pandëshkuara. Megjithatë, ekspertë të fushës dhe aktivistë nuk po e shohin si të zbatueshëm këtë nismë legjislative.
Ky projektligj, pas miratimit në qeveri duhet të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për miratim.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, në mbledhjen e qeverisë, tha se përmes këtij propozimi, kryerësit e veprave penale, me theks të veçantë ata të krimeve të luftës, do të marrin dënimet e merituara.
“Kudo që hasen nga organet ligjzbatuese, do të vuajnë dënimin për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë”, tha ai.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjithashtu theksoi se “Projekt-Kodi i Procedurës Penale do të mundësojë që askush të mos i shmanget drejtësisë dhe rastet penale të kenë epilog”, tha ai.
IKD: Zbatimi i gjykimit në mungesë do të jetë sfidues
Çështja e gjykimit në mungesë të të akuzuarve për krime të ndryshme, përfshirë krimet e luftës, kishte pësuar ndryshime në disa faza të plotësim-ndryshimit të Kodit të Procedurës Penale.
Gëzim Shala, hulumtues në Institutin Kosovar për Drejtësi, tha se gjykimi në mungesë ka disa përparësi në raport me krimet e luftës, mirëpo zbatimi do të jetë sfidues.
“Këto sfida, veçanërisht kur kihet parasysh mungesa e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në mes të Kosovës dhe Serbisë, kanë ndikuar që deri më sot në gjykatat e Republikës së Kosovës ende të mos të zhvillohet asnjë gjykim në mungesë”, tha ai.
Mungesa e prokurorëve ka qenë një ndër sfidat kryesore lidhur me hetimin e krimeve të luftës në Kosovë.
Deri vonë, për këto lëndë kanë qenë të angazhuar vetëm dy prokurorë.
Genc Nimoni, këshilltar i lartë i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu kishte konfirmuar se Prokurorisë Speciale të Kosovës i janë shtuar katër prokurorë, gjashtë bashkëpunëtorë profesionalë dhe dy përkthyes, të cilët do të merren ekskluzivisht vetëm me krimet e luftës.
“Gjykimet në mungesë, pa efekt”
Përveç se zbatimi i gjykimeve në mungesë pritet të jetë sfidues, Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) në Prishtinë, është shprehur kundër këtij lloji të gjykimit.
Bekim Blakaj, nga FDH-ja, tha se këto gjykime mund të shkaktojnë kosto shtesë në sistemin gjyqësor.
“Mendoj që nuk do të jenë të zbatueshme sepse megjithatë edhe nëse gjykohet dikush në mungesë, në momentin që kapet për ta mbajtur dënimin, automatikisht ka të drejtë të kërkojë rigjykim dhe kjo nga tregon që mundet të ketë kosto ekstra për krime lufte”, tha ai.
Blakaj theksoi se nuk është i sigurt edhe nëse “viktimat e krimeve të luftës dhe familjet e tyre do të jenë të kënaqura me gjykimet në mungesë”.
“Ndoshta në fillim do të ketë entuziazëm, mirëpo më vonë sigurisht nuk do të jenë të kënaqura viktimat sepse ku është efekti nëse dikush i cili gjykohet për krime lufte në mungesë, nuk do ta mbajë dënimin asnjëherë”, tha Blakaj.
Ish-këshilltarja e përhershme ligjore në Departamentin amerikan të Drejtësisë, Lana Morton-Owens, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më herët ka deklaruar se Kosova ka trashëguar rreth 1,000 raste te krimeve të luftës nga UNMIK-u dhe EULEX-i, rreth 15 vjet të vjetra.
Por, edhe ajo ka theksuar se në drejtësinë e ngadalshme ka ndikuar mungesa e stafit.
Një departament i posaçëm për krime lufte është krijuar në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës në maj të vitit 2015.