SJELLJA JOSERIOZE E PARTIVE PËR TË TESTUAR INSTITUCIONET

Të gjitha partitë, që konsiderohet të mëdha, brenda Kuvendit të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës si dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në listat e tyre zgjedhore me kandidatë për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, kanë pasur persona, kandidatura e të cilëve bie në kundërshtim me Ligjin për zgjedhjet.

Këtë e kanë konfirmuar vetë këto parti politike, të cilët janë duke i ripërpiluar listat e tyre me kandidatë për zgjedhjet lokale, pas largimit nga to të atyre kandidatëve që kanë problem me ligjin.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se 160 kandidatë – nga më shumë se 5.200 – për zgjedhjet lokale në Kosovë, nuk mund të jenë pjesë e procesit zgjedhor pasi kandidatura e tyre bie në kundërshtim me Ligjin për zgjedhjet.

Këta kandidatë janë nga 30 subjekte politike nga gjithsej 93 sa pritet të marrin pjesë në zgjedhje.

Në mesin e këtyre 30 subjekteve politike, janë edhe partitë që përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës.

Nenin 29 i Ligjit për zgjedhje të përgjithshme thekson që kandidat nuk mund të jetë një person i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vjetët e fundit.

Partitë zëvendësojnë kandidatët që janë ndesh me ligjin

Arlind Manxhuka, zëdhënës i Lëvizjes Vetëvendosje, thotë për Radion Evropa e Lirë se pas njoftimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje tashmë ka dorëzuar listën tjetër me kandidatët e saj për zgjedhjet lokale.

“Lëvizja Vetëvendosje, brenda afateve të parapara sipas KQZ-së, i ka dërguar të gjitha zëvendësimet e nevojshme”, thotë Manxhuka.

Partia Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate për media, ka njoftuar se ka pranuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkesën për zëvendësimin e disa kandidatëve për kuvende komunale dhe për zëvendësimin e një kandidati për kryetar komune.

Sipas kësaj partie, Sami Lushtakut i është pamundësuar kandidatura për kryetar të ardhshëm të Skenderajt.

“Në pajtim me kërkesën e KQZ-së, dega e PDK-së në Skenderaj ka miratuar unanimisht kandidaturën e deputetit Fadil Nura për kryetar të ardhshëm të Skenderajt”, thuhet në komunikatën e Partisë Demokratike të Kosovës.

Anëtari i KQZ-së, Florian Dushi, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo parti do ta respektojë kërkesën për zëvendësimin e kandidatëve të saj për zgjedhje komunale.

“Për fat të mirë, LDK-ja nuk ka asnjë problem te kandidatët për kryetarë. Disa kandidatë për asamblistë në komuna të ndryshme, kanë disa probleme. (LDK-ja) Do të respektojë vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të zëvendësuar të njëjtit dhe do t’i zëvendësojë sipas afateve të përcaktuara nga KQZ-ja”, tha Dushi.

Zëvendësimet në listat zgjedhore për zgjedhje komunale do t’i zëvendësojë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i kësaj partie, Lulzim Blaka.

“Besoj që deri në orën 16:00 kryhen të gjitha zëvendësimet. Pak kanë qenë, po janë zëvendësuar”, u shpreh Blaka.

Miftaraj: Shqetësues fakti që 120 kandidatë për zgjedhje lokale janë ndesh me ligjin

Përfaqësuesit e shoqërisë civile që mbikëqyrin zbatimin e ligjit, dhe njohësit e zhvillimeve politike, vlerësojnë se partitë politike të cilat kanë propozuar në listat e tyre për zgjedhjet lokale të 17 tetorit kandidatë që kanë probleme me ligjin, kanë treguar mungesë të seriozitetit.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë se partitë politike në përgjithësi, qoftë në zgjedhje parlamentare, qoftë në ato lokale, nuk po e marrin seriozisht çështjen e integritetit të kandidatëve që propozohen nga to dhe nuk po i marrin seriozisht obligimet ligjore.

“Është jashtëzakonisht shqetësuese që 160 kandidatë të dërgohen nga partitë politike, do të thotë, të propozojnë persona, qoftë për kuvendet komunale, qoftë për kryetarë të komunave, të cilët kanë aktgjykime të formës së prerë në tre vjetët e fundit nga gjykatat. Partitë politike, në njërën anë, vazhdimisht proklamojnë parimet e sundimit të ligjit, proklamojnë se do ta luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe në anën tjetër, kur u jepet mundësia e parë, në lista zgjedhore propozojnë persona që kanë precedent penal ose që sipas terminologjisë juridike, njerëz që janë thjesht të kriminalizuar”, thotë Miftaraj.

Demehasaj: Partitë me mungesë serioziteti

Të gjitha këto parti politike me të cilat ka kontaktuar Radio Evropa e Lirë, pretendojnë se kandidatët në listat e tyre për zgjedhjet lokale, të cilët kanë rënë ndesh me ligjin, kryesisht kanë pasur probleme për shkak të gjobave me të holla, vërejtjeve gjyqësore dhe të tjera dhe kanë pandehur se rastet janë mbyllur, por që interpretimet i kanë pasur të gabuara.

Arton Demhasaj, drejtor ekzekutiv i organizatës “Çohu”, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thotë që mund të jenë të kuptueshme pretendimet e partive politike se nuk kanë qenë në dijeni që kandidatët eventualë për kuvendet komunale kanë pasur probleme me ligjin.

“Te kjo pjesë, besoj që nuk janë fajtore partitë politike, por te kjo pjesa kur ata e dinë. Për shembull, ne kemi parë që ka pasur kandidat edhe për kryetar komune, që ka vendim të plotfuqishëm (nga gjykata), megjithatë ai ka aplikuar që të akreditohet për kandidat për kryetar. Ne e kemi ditur që Sami Lushtaku (PDK) është i dënuar dhe ai megjithatë ka vendosur që ta sfidojë KQZ-në dhe sistemin e drejtësisë, duke e ditur që ka vendim të plotfuqishëm dhe duke e ditur që tashmë kjo nuk lejohet. Prandaj mendoj që është mungesë serioziteti që t’i testosh institucionet tona, duke e ditur që kjo tashmë është e parandaluar”, thekson Demhasaj.

Cenimi i parimeve demokratike, për vota

Por, Ehat Miftaraj nga IKD-ja shpreh mendimin që partitë politike, gjatë përpilimit të listave, përllogarisin më shumë arritjen e më shumë votave se sa përplasjen eventuale të kandidatëve me ligjin.

“Partitë politike, fatkeqësisht, propozojnë persona, të cilët mund të sjellin vota për partinë, duke mos bërë një vlerësim nëse këta persona kanë integritet ose nëse këta persona janë të pastër para ligjit. Kjo nënkupton që partitë politike, për vota, i cenojnë parimet bazë që një shoqëri demokratike duhet t’i ketë, siç janë qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit”, vlerëson Miftaraj.

Fajtorë për situatën në të cilën partitë politike sfidojnë KQZ-në dhe ligjin, përmes propozimeve për zgjedhje të kandidatëve që bien ndesh me ligjin, Arton Demhasaj nga organizata “Çohu” e sheh te Kuvendi dhe te Qeveria e Kosovës.

“Është dashur që qysh në fillim të krijimit të qeverisë të fillojë edhe nisma për reformë zgjedhore dhe t’i dërgojnë në kuvend ndryshimet në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe të bëhet kategorizimi se për cilat vepra duhet të ndalohet pjesëmarrja në zgjedhje. Në këtë mënyrë të mos lejohet që për çdo vendim të plotfuqishëm (të gjykatave) të pamundësohet pjesëmarrja në zgjedhje. Por, kemi parë që as qeveria dhe as kuvendi nuk janë marrë me ndryshimin e ligjit dhe pasojat kanë dalë në këto zgjedhje”, u shpreh Demhasaj.

Verifikimi i kandidatëve për kryetar komunash dhe kuvende komunale për zgjedhjet e 17 tetorit është bërë nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Doganës së Kosovës./REL