Gazeta Sinjali raportoi dje se si Policia ka tentuar të ndalojë në Pejë, një person që kërkohej, por i njëjti kishte arritur të ikte përsëri. Sinjali ka mësuar se bëhet fjalë për Bekë Salihajn, që kërkohet për disa vepra penale.

Detaje se si i dyshuari iku nga Policia, më 23 gusht në Pejë

Sinjalizues të Sinjalit, që ishin në vendin e ngjarjes kur ndodhi rasti thanë për Sinjalin se persona që ishin në afërsi të një marketi, në rrugën “Bill Clinton” në Pejë, e njoftuan Policinë se personi që po kërkohej gjendej në atë pjesë.

Posa zyrtarët policorë kanë arritur në atë rrugë, kanë tentuar ta ndalojnë të dyshuarin, por i njëjti ua ka drejtuar armën dhe ka filluar të ikte.

Duke shfrytëzuar rrugicat, i dyshuari ka shkuar në drejtim të lagjes “Kristal”. Sinjalizuesit e Sinjalit thanë se në këtë mënyrë, i dyshuari arriti të ikte nga Policia, edhe pse kjo e fundit kishte angazhuar disa njësi policore në ndjekje të tij.

Sipas sinjalizuesve, me aq sa kanë arritur ta shohin, i dyshuari kishte të veshur pantallona të shkurta, ishte i gjatë, me mjekër dhe kishte tatuazhe.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë bënë me dije se i dyshuari Bekë Salihaj kërkohet për disa vepra penale.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

TE FUNDIT