Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla i ka dalë në mbrojtje ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, pasi ky i fundit po kritikohet për menaxhimin e pandemisë.
Gërvalla, përmes një postimi në Facebook, ka përgëzuar Vitinë për punën që po bën, në ditën kur vdiqën 18 qytetarë si pasojë e COVID-19.
“Heq kapelen para kolegut tim, Arben Vitia. Me përkushtimin, profesionalizmin, zellin, modestinë dhe qetësinë që e karakterizojnë, Arben Vitia menaxhoi në mënyrë shembullore sfidat me të cilat u ballafaqua Kosova gjatë pandemisë. Shumë nga afër i kam përcjellur betejat e tij të shumta, të vogla dhe të mëdha, në Kosovë dhe jashtë saj, për sigurimin e vaksinave kaq të nevojshme për Kosovën”, shkroi Gërvalla.
Ajo është e sigurt që edhe këtë sfidë do ta kalojnë së bashku.
“Varianti i ri i virusit dhe rritja e madhe e rasteve të reja e ka vënë të gjithë botën para një sfide. Numri i rasteve tragjike po na trondit të gjithëve çdo ditë e më tepër. Përvoja edhe e shteteve të tjera tregon se shtrëngimi i masave dhe përshpejtimi i vaksinimit janë rrugëdalja e vetme”.
Ndryshe, ministrja Gërvalla njihet për huqjet teknike në postimet që bën, ndërsa sot ajo e ka gjetur ditën e duhur, për ta nderuar Vitinë për punën e tij.
Kujtojmë se kohëve të fundit, për çdo ditë po thyhen rekorde të rasteve të reja, ku në 24 orët e fundit janë shënuar 2 mijë e 295 të infektuar dhe 18 viktima.