Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se dje ishte një “ditë e vështirë” në Kabul dhe se terroristët nuk do të mund ta pengojnë misionin e evakuimit të amerikanëve nga Afganistani.
“Për ata që kryen këtë sulm, si dhe për këdo tjetër që e dëshiron Amerikën të dëmtuar: Ne nuk do të falim. Ne nuk do të harrojmë. Ne do t’ju ndjekim dhe do t’ju detyrojmë të paguani”, tha Biden gjatë një paraqitje nga Shtëpia e Bardhë, në mbrëmjen e 26 gushtit.
Disa njerëz janë vrarë dhe shumë tjerë janë plagosur nga dy sulme vetëvrasëse me bombë që kanë tronditur aeroportin e Kabulit, të enjten.
Incidenti ka shtuar kaosin në aeroport disa ditë para datës 31 gusht kur duhet të përfundojë tërheqja e plotë trupave të huaja nga Afganistani.
Kreu i Komandës Qendrore të SHBA-së, gjenerali, Kenneth McKenzie, tha se 12 ushtarakë amerikanë ishin në mesin e atyre që u vranë. Zyrtarët shëndetësorë në Kabul u cituan të thoshin se 60 civilë u vranë.
Përgjegjësinë për sulmin e mori grupi ekstremist Shtetit Islamik (IS), që në Afganistan vepron si ISIS-K.
“Ne nuk do të pengohemi nga terroristët. Ne nuk do të ndalojmë misionin. Ne do të vazhdojmë evakuimin”, tha Biden.
Ai lë të kuptohet se sulmuesit mund të kenë ardhur nga burgjet që u hapën nga talebanët gjatë marrjes së kontrollit të Afganistanit.