Transferimi i Cristiano Ronaldos në Manchester United ka bërë që një numër i tifozëve t’i sjellin sërish në vëmendje akuzat për përdhunim që Kathryn Mayorga i ka ngritur drejt futbollistit portugez.
Në vitin 2018, gazeta prestigjioze gjermane, Der Spiegel, e kishte publikuar rrëfimin e Kathryn Mayorgas, e cila e akuzonte Cristiano Ronaldon se e kishte përdhunuar atë në një hotel në Las Vegas, në vitin 2009.
Rrëfimi i saj ishte ndjekur nga publikimi i disa dokumenteve ku vetë sulmuesi portugez e kishte pranuar se Mayorga i kishte thënë “jo” dhe “ndal” disa herë.
Përderisa akuzat e Mayorgas janë ende duke u hetuar në gjykatën përkatëse në SHBA, kthimi i Ronaldos në Old Trafford ka sjellë reagime të shumta, në mesin e të cilave edhe ato lidhur me akuzat ndaj 36-vjecarit.
“Le të jemi të sinqertë, shumica e tifozëve nuk po i injorojnë akuzat për përdhunim ndaj Cristiano Ronaldos për shkak se nuk u besojnë, por janë të gatshëm t’i lënë anash për aq kohë sa ai shënon gola. Dhe kur e mendon, kjo është me të vërtetë e tmerrshme”, shkroi @paul_c_watson
“Nëse ndonjëherë ndiheni të injoruar, mbajeni në mend që prapëseprapë nuk po injoroheni aq sa akuzat për përdhunim ndaj Ronaldos” shkroi @thejadedsmith.
Para tre vjetësh, Der Spiegel e kishte publikuar edhe raportin nga policia e Las Vegasit, i cili është shkruar në vitin 2009, kur Mayorga e kishte raportuan incidentin e ndodhur. Edhe pse në raportin e policisë Mayorga nuk e kishte emëruar Ronaldos si përdhunuesin e saj – gjë që më vonë kishte thënë se s’e ka bërë nga frika, tanimë është e dëshmuar se Ronaldo dhe Mayorga ishin takuar natën e 13 qershorit të atij viti, pasi që ekzistojnë foto ku shihet Ronaldo duke ia mbajtur dorën dhe duke i folur në vesh, në një klub nate.
Mayorga nuk kishte vazhduar me procedurat për ta akuzuar portugezin në vitin 2019, ajo dhe avokati i saj kishin arritur marrëveshje me agjentët e Ronaldos. Sipas kësaj marrëveshjeje, Mayorga do t’i merrte 322 mijë euro për të mos folur kurrë për këtë ngjarje.
Për të arritur këtë marrëveshje, Ronaldo ishte marrë në pyetje nga avokatët e tij. Kur ishte pyetur nëse Mayorga kishte bërtitur, Ronaldo ishte përgjigjur: “Ajo më tha ‘jo’ dhe ‘stop’ disa herë”. Por, në versionet e mëvonshme të kësaj interviste, Ronaldo e kishte mohuar akuzën, duke thënë se Mayorga kishte pranuar vetë.
Vetë portugezi i ka mohuar këto akuza, ndërsa avokatët e tij e kanë arsyetuar nënshkrimin e portugezit në dokumentet e lartpërmendura duke thënë se Ronaldo nuk i kishte lexuar ato para se t’i nënshkruante