Suharekë – Për shkak se të akuzuarit K.Q dhe A.Q nuk i janë përgjigjur ftesës së gjykatës, është shtyrë seanca fillestare e paraparë për të hënën në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Suharekë.
K.Q po akuzohet për veprën penale “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe veprën penale “sulmi”. Këtë të fundit akuzohet se e ka kryer në bashkëkryerje me vëllain e tij, të akuzuarin A.Q.
Gjykatësi Qemail Suka ka bërë të ditur se të lartpërmendurit kanë qenë të ftuar në mënyrë të rregullt për seancën e së hënës, por se mungesën nuk e kanë arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këto rrethana, seanca është shtyrë për 22 shtator 2021 në ora 11:30, për të cilën gjykatësi Suka tha se do të kërkohet nga Policia e Kosovës që të akuzuarit t’i shoqërojë me forcë.
Prezent në sallë të gjykimit ishte prokurori Fatos Ajvazi.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, K.Q akuzohet se në mesnatën e 14 korrikut 2018, në fshatin Shirokë të Komunës së Suharekës, saktësisht tek restoranti “Adea”, me anë të armës së zjarrit shkakton rrezik të madh për jetën e njerëzve.
Aty thuhet se pasi që paraprakisht kishte një mosmarrëveshje me të pandehurin F.Sh dhe L.B, i njëjti në ndikimin e alkoolit, fillimisht me revolen e markës “Zoraki M914-B”, shtie në ajër brenda në lokal, e më pas pasi del në oborr dhe niset në drejtim të dy të lartpërmendurve.
Tutje sipas aktakuzës, me të parë këtë veprim të pandehurit K.Q, vëllai i tij A.Q mundohet që t’ia marr revolen dhe mos ta lë të bëj ndonjë problem. Mirëpo, aty thuhet se në atë moment i pandehuri K.Q shkrep përsëri me revole dhe e godet veten në anën e majtë të qafës, duke shkaktuar plagë të rënda, me të cilat veprime rrezikon vetën dhe të tjerët.
Me këto veprime, K.Q akuzohet se ka kryer veprën penale “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 365, paragrafi 1 i KPRK-së, e cila vepër , dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.
Sipas pikës së dytë të aktakuzës, K.Q dhe A.Q akuzohen se më datë dhe vend si në dispozitivin e parë. me dashje sulmojnë fizikisht të dëmtuarin L.B, ashtu që pasi fillimisht ishin duke qëndruar në një tavolinë të përbashkët dhe duke pirë pije alkoolike dhe pije të tjera, për një moment pasi ishin në ndikim të alkoolit fillojnë të fjalosen mes vete. Më pas thuhet se dy të pandehurit fillojnë ta shtyjnë të dëmtuarin dhe e kapin për tesha të trupit dhe qafore, me ç’rast të dëmtuarit ia këpusin qaforen nga qafa dhe ia shqyejnë maicen, mirëpo nuk i shkaktojnë lëndime trupore.
Me këto veprime, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Sulmi” nga neni 184, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
I akuzuar për kryerjen e veprës penale “sulmi” në bashkëkryerje nga neni 184, paragrafi 1 të Kodit Penal ka qenë edhe F.Sh, mirëpo i njëjti e ka pranuar fajësinë dhe ndaj tij është veçuar procedura gjyqësore. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.