Besa Kuqi prezanton zotimin e dytë

Drejtoresha e Shëndetësisë Besa Kuqi e cila njëherit është edhe kandidate për asamble komunale në Suharekë, ka prezantuar siç e ka quajtur ajo “zotimin e dytë”

Postimi i plotë:
ZOTIMI IM I DYTË: Avokimi për shëndetin mendor, zotohem para të gjithë qytetarëve të Suharekës se do t’i kushtoj kohë e rëndësi shumë të madhe çështjes së shëndetit mendor.


Pse? Shumë prej jush mund të mos e konsideroni të rëndësishme një gjë të tillë. Por, JU LUS PËR PAK VËMENDJE. Mbi 1 milion njerëz në vit kryejnë vetëvrasje dhe qindra-miliona tjerë vuajnë nga depresioni në mbarë botën.

Edhe Kosova, ashtu si shtetet tjera, vuan nga kjo sëmundje moderne. Prandaj, është shumë me rëndësi që të mos mbesim prapa në hapa në sfidat e imponuara për shekullin tonë.
Depresioni dhe sëmundjet e tjera mendore po na sfidojnë dhe do të na sfidojnë gjithnjë e më shumë të gjithë neve.

Duke qenë drejtoreshë e shëndetësisë në Komunën tonë dhe psikologe kilinike me profesion, jam njohur më nga afër me problemin tonë në nivel kombëtar e veçanërisht komunal. E di se shumë vajza e shumë djem tanë vuajnë në heshtje dhe nuk marrin shërbimet adekuate.

E di se edhe familjet e tyre vuajnë me ta njësoj, heshturazi.
Prandaj, zotohem se do të avokoj me energji të pashterrshme që shëndeti mendor të jetë sa më i përfshirë e sa më prioritar në politikat tona komunale.

Do të avokoj që secili qytetar dhe secila qytetare ta ndjej më afër ndihmesën e kolektivit për gjendjen e tij/saj. Qendrat e Mjekësisë Familjare [QMF] duhet të jenë adresa e parë për qytetarët që përballen me këto sfida.


Synimi kryesor është përfshirja e shëndetit mendor në sistemin e kujdesit parësor shëndetësor.