Në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është takuar sot me ministrin e shtetit për Punë të Jashtme të Bangladeshit, Shahriar Alam.
Sipas komunikatës ministrore, së bashku i vlerësuan të shkëlqyera raportet ndërmjet dy shteteve dhe biseduan për mundësi të thellimit të bashkëpunimit dypalësh.
Në fokus kishin bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar dhe krijimin e mundësive për komunitetet e bizneseve të të dyja vendeve për bashkëpunim.
Gërvalla ka theksuar se prioritet i Qeverisë së Kosovës, përveç forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës është tërheqja e investitorëve të huaj dhe hapja e vendeve të reja të punës dhe për këtë e ka njoftuar ministrin Alam se Kosova ofron një ambient tejet të favorshëm për të bërë biznes.
“Investitorët përveç se kanë në favor sistemin e taksave, ne po ashtu kemi një fuqi punëtore të përgatitur dhe mbi të gjitha jemi një vend me një pozitë tejet të përshtatshme gjeografike. Këto dhe shumë elemente të tjera e bëjnë Kosovën vend të përshtatshëm dhe të sigurt për investitorët”, ka shtuar më tej ajo.
Nga ana e tij, ministri Alam ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim dypalësh dhe gjithashtu ka theksuar se Bangladeshi do ta vazhdojë përkrahjen ndaj Kosovës.