Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Komunës së Suharekës, Ardian Shala ka premtuar 200 mijë euro për barnat e trajtimin e pandemisë COVID-19 në këtë komunë.
Shala këtë zotim e ka dhënë në #DebatPernime në rast se do të zgjidhet kryetar i Suharekës në zgjedhjet e 17 tetorit.
“Sa i përket pandemisë, një vendim që është marrë në Asamble nuk është duke u zbatuar ndërsa ne atë vendim do ta ndërrojmë. 200 mijë euro do të ndajnë për trajtim të pandemisë për barna dhe ekipe që janë në terren do të shkojnë dhe do të japin trajtime infuzive. Po bëhet fjalë për terapinë që ata e kanë të domosdoshme”, u shpreh ai.
Ai ka premtuar se do të bëjnë trefishim të buxhetit për barna në përgjithësi që do të kapë shumë rreth 200 mijë euro.
Sa i përket gjendjes së tualeteve në ambulante, shkolla e institucione të tjera publike të Suharekës, kandidati nga LDK-ja u shpreh se në vitin 2021 nuk duhet të diskutohet përparësia e higjienës.
Ai shtoi se i vjen keq për deklaratën e kryetarit aktual Bali Muharremaj se gjendja e tualeteve është e mirë.
KALLXO.com ka publikuar fotografi të papastëra të banjove të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Suharekë, për të cilën ka reaguar Shala.
“Patjetër ne duhet të ndërmarrim të gjitha masat dhe kam me u zotu që këto nuk keni me i pa më, këto fotografi”, tha ai.