Kryetari i LDK-së në Suharekë kundër kërkesave për dorëheqjen e Abdixhikut: Maturi, jo nxitim

Kryetari i Degës së LDK-së në Suharekë dhe anëtari i Kryesisë së LDK-së Ardian Shala ka reaguar ndaj disa vlerësimeve që po bëhen pas rezultatit të fundit zgjedhor, ku është kërkuar dorëheqja e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.

Ai ka thënë se LDK-ja duhet t’i qëndrojë besnike traditës së saj të maturisë politike dhe të mos marrë vendime të nxituara nën ndikimin e emocioneve të momentit.

Sipas tij, Kosova ka kaluar nëpër tri procese zgjedhore nacionale brenda vetëm 16 muajve dhe aktualisht ndodhet në një krizë institucionale, prandaj çdo veprim i pamatur mund të thellojë paqëndrueshmërinë politike.

“LDK-ja gjithmonë është dalluar për përgjegjësi shtetërore. Shpeshherë ka sakrifikuar edhe rritjen e vet politike për t’i dhënë Kosovës institucione funksionale dhe stabilitet”, ka theksuar ai.

Kreu i LDK-së në Suharekë ka kërkuar që kontributi i figurave të rëndësishme të partisë të respektohet dhe të mos zbehet nga reagimet e nxituara.

Ai ka vlerësuar se Kosova duhet të mbetet mbi interesat partiake, duke kërkuar ruajtjen e unitetit, dinjitetit dhe përgjegjësisë politike brenda LDK-së.

“Kosova është e përhershme, ndërsa partitë politike duhet t’i shërbejnë Kosovës. Kjo ka qenë filozofia e LDK-së që nga themelimi i saj dhe kjo duhet të jetë busulla jonë edhe sot”, ka përfunduar ai.

Shpërndaje:FacebookWhatsApp