LDK Suharekë reagon për debatin në Asamble: Po tentohet të shmanget vëmendja nga buxheti dhe raporti i auditimit

Dega e LDK-së në Suharekë ka reaguar pas publikimeve lidhur me debatin e sotëm në Asamblenë Komunale, duke thënë se deklaratat e asamblistit Nexhat Ramadani janë keqinterpretuar.

Sipas LDK-së, gjatë diskutimit për Kornizën Afatmesme Buxhetore për vitet 2027-2029, Ramadani është ndërprerë vazhdimisht nga asamblistë të pushtetit, të cilët, sipas tyre, kanë tentuar ta pengojnë fjalën e tij.

“Pretendimet se asambleisti ynë ka bërë krahasime të papranueshme janë një përpjekje për ta larguar vëmendjen nga tema kryesore e debatit”, thuhet në reagim.

Nga LDK-ja theksojnë se Ramadani e ka sqaruar disa herë gjatë seancës se nuk kishte për qëllim të bënte krahasime të tilla, ndërsa ka kërkuar falje nëse dikush është ndier i ofenduar nga mënyra se si janë interpretuar fjalët e tij.

Dega e LDK-së në Suharekë thotë se fokusi i diskutimit duhej të mbetej te mangësitë në planifikimin e Kornizës Afatmesme Buxhetore, si dhe te Raporti i Auditimit për vitin 2025, për të cilin pretendohet se ka dhënë vlerësim negativ për menaxhimin dhe shpenzimin e buxhetit komunal.

LDK Suharekë ka ftuar qytetarët që të mos bien pre e keqinterpretimeve, duke kërkuar që debati publik të përqendrohet te çështjet që, sipas saj, lidhen me menaxhimin e parasë publike dhe interesin e komunës.

Shpërndaje:FacebookWhatsApp