Në Berlin mbahet mbrëmje letrare në kuadër të “Javës së Kulturës së Kosovës”

Në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Berlin është mbajtur një mbrëmje letrare në kuadër të “Javës së Kulturës së Kosovës në Berlin”.

Aktiviteti i ditës së gjashtë iu kushtua promovimit të librave “Qetësi e prishur” të autorit Bekim Blaku dhe “Hije kujtimesh” të aktorit e shkrimtarit Çun Lajçi.

Mbrëmjen e hapi ambasadori Faruk Ajeti, i cili theksoi rëndësinë e kulturës dhe letërsisë si urë lidhëse mes popujve dhe si mënyrë për promovimin e identitetit të Kosovës jashtë vendit.

Gjatë aktivitetit pati edhe vështrime letrare për veprat e prezantuara. Dibran Demaku foli për krijimtarinë e Çun Lajçit, ndërsa gazetari dhe publicisti Hajriz Mamaj prezantoi një analizë për romanin “Qetësi e prishur”.

Përveç diskutimeve, të pranishmit patën mundësi të dëgjojnë fragmente të zgjedhura nga librat, duke u njohur më afër me temat dhe mesazhet që sjellin autorët.

“Java e Kulturës së Kosovës në Berlin” po shërben si një hapësirë e rëndësishme për prezantimin e artit, letërsisë dhe kulturës kosovare para publikut në Gjermani.

Burimi: Albinfo.ch

Shpërndaje:FacebookWhatsApp