Në Zvicër është hapur debat për një nismë që synon ta bëjë transportin publik më të qasshëm për qytetarët, duke propozuar zgjerimin e rrjetit dhe heqjen e tarifave për udhëtarët.
Organizatorët e lëvizjes “Agissons!” argumentojnë se mobiliteti duhet të jetë i përballueshëm për të gjithë, pavarësisht të ardhurave. Ata propozojnë krijimin e një fondi të madh vjetor për përmirësimin e frekuencës së linjave, lidhjeve rajonale dhe koordinimit të transportit në nivel kombëtar.
Çështja nuk është e thjeshtë juridikisht. Projekte të ngjashme janë rrëzuar më parë, pasi Kushtetuta aktuale kërkon që përdoruesit të mbulojnë një pjesë të arsyeshme të kostove të transportit publik. Për këtë arsye, nisma e re synon ndryshim kushtetues.
Kundërshtarët paralajmërojnë se “falas” nuk do të thotë pa kosto, pasi shpenzimet mund të kalojnë te taksapaguesit. Ata thonë se rritja e numrit të udhëtarëve do të kërkonte investime të mëdha në kapacitete dhe infrastrukturë.
Nga ana tjetër, mbështetësit vlerësojnë se masa do t’i ndihmonte familjet, do të ulte përdorimin e veturave private dhe do ta bënte transportin publik më tërheqës.
Nëse organizatorët arrijnë të mbledhin 100 mijë nënshkrimet e nevojshme, qytetarët zviceranë do të mund të vendosin për këtë çështje përmes votimit popullor.
Burimi: Albinfo.ch
