Një tjetër histori suksesi vjen nga diaspora shqiptare në Danimarkë. Marigona Luma, 24-vjeçare me prejardhje nga Kaçaniku, ka përfunduar studimet master në Drejtësi në Universitetin e Kopenhagës.
Marigona është lindur dhe rritur në Kopenhagë, ndërsa familja e saj emigroi nga Kosova në Danimarkë gjatë viteve ’90, në kërkim të një jete më të mirë.
Studimet master i përfundoi në një nga universitetet më të njohura të Danimarkës, me një punim kërkimor të fokusuar në mbikëqyrjen e punonjësve në vendin e punës dhe sfidat juridike që lidhen me këtë temë.
Përveç rrugëtimit akademik, Marigona ka qenë e angazhuar edhe në sport. Ajo ka qenë pjesë e basketbollit elitar danez dhe ka garuar në nivele të larta, duke dëshmuar disiplinë dhe përkushtim në dy fusha njëkohësisht.
Ajo e sheh mbështetjen e familjes, punën e vazhdueshme dhe besimin në vetvete si faktorët kryesorë që e kanë ndihmuar të arrijë objektivat e saj.
Historia e Marigonës është një shembull tjetër i suksesit të të rinjve shqiptarë në diasporë, të cilët po arrijnë rezultate të rëndësishme në arsim, sport dhe jetë profesionale.
Burimi: Albinfo.ch
