Tregu i banesave me qira në Cyrih po bëhet gjithnjë e më i vështirë, duke e kthyer kërkimin për një banesë të përballueshme në sfidë serioze për shumë familje dhe punëtorë në Zvicër.
Sipas raportimeve, kërkesa e lartë dhe oferta e kufizuar kanë bërë që banesat në qytetin më të madh të Zvicrës të zhduken shumë shpejt nga tregu.
Cyrihu vazhdon të tërheqë profesionistë dhe punonjës të huaj për shkak të tregut të fortë të punës, ndërsa ndërtimi i banesave të reja nuk po arrin ta mbulojë nevojën në rritje.
Të dhënat tregojnë se norma e banesave të lira në Cyrih mbetet rreth 0.1%, një nivel jashtëzakonisht i ulët. Në praktikë, kjo do të thotë se shumë shpallje hiqen brenda pak ditësh dhe për një banesë mund të aplikojnë dhjetëra apo qindra persona.
Situata po ndikon edhe te çmimet. Qiratë në Cyrih janë ndër më të lartat në Zvicër dhe në disa raste po tejkalojnë edhe ato të Gjenevës.
Autoritetet lokale po shqyrtojnë masa për më shumë banesa të përballueshme, por ekspertët paralajmërojnë se problemi nuk pritet të zgjidhet shpejt.
Jetoni në Zvicër? Na tregoni në komentet në Facebook sa e vështirë është të gjendet banesë me qira në qytetin ku jetoni.
Burimi: Albinfo.ch
