Qiratë në Zvicër drejt referendumit: a mund të ulen automatikisht kur janë të tepruara?

Çështja e qirave në Zvicër pritet të kalojë në referendum kombëtar, pasi Shoqata Zvicerane e Qiramarrësve ka mbledhur mbi 140 mijë nënshkrime për një nismë që synon kontroll më të fortë të çmimeve të banesave.

Nisma kërkon që qiratë të monitorohen në mënyrë automatike dhe, në rastet kur vlerësohen si të tepruara, të ketë mundësi për uljen e tyre pa qenë e nevojshme që qiramarrësit të hyjnë individualisht në procedura ligjore kundër pronarëve ose kompanive që menaxhojnë banesa.

Sipas mbështetësve të iniciativës, kjo do t’u jepte më shumë siguri familjeve që jetojnë me qira, sidomos në qytetet ku çmimet janë rritur ndjeshëm viteve të fundit. Për shumë familje shqiptare në diasporë, qiraja mbetet një nga shpenzimet më të mëdha mujore.

Data e referendumit ende nuk është caktuar. Megjithatë, fakti që nënshkrimet janë mbledhur e hap rrugën që qytetarët zviceranë të vendosin nëse duhet të forcohen mekanizmat e mbrojtjes së qiramarrësve.

Nëse kjo nismë kalon, efekti mund të ndihet veçanërisht nga banorët në zonat urbane, ku kërkesa për banesa është e lartë dhe presioni mbi çmimet mbetet i madh.

Jetoni në Zvicër? Na shkruani në Facebook: a janë bërë qiratë problem serioz për familjet shqiptare atje?

Burimi: Albinfo.ch

Shpërndaje:FacebookWhatsApp