Driton Selmanaj demanton raportimin për LDK-në e Prizrenit

Kryetari i Degës së LDK-së në Prizren, Driton Selmanaj, ka demantuar një raportim të publikuar në portalin Indeksonline, ku pretendohej për zhvillime të vonshme brenda degës së LDK-së në Prizren lidhur me qëndrimin e tij ndaj kryetarit Lumir Abdixhiku.

Përmes një reagimi publik, Selmanaj ka thënë se nuk ka pasur asnjë thirrje apo kërkesë për mbledhje të kryesisë së degës lidhur me pretendimet e ngritura në artikull.

“Si kryetar i Degës, ju njoftoj me përgjegjësi të plotë se asnjë thirrje dhe asnjë kërkesë nuk kemi pasur për mbledhje të kryesisë së degës lidhur me pretendimet e ngritura në këtë artikull”, ka deklaruar Selmanaj.

Ai e ka cilësuar raportimin si të pavërtetë dhe tendencioz, duke thënë se synon të krijojë konfuzion dhe përçarje artificiale brenda strukturave të LDK-së në Prizren.

Selmanaj ka theksuar se dega e LDK-së në Prizren mbetet e bashkuar dhe në koordinim të plotë mes strukturave të saj.

“LDK në Prizren mbetet plotësisht e bashkuar dhe në koordinim të plotë me njëri-tjetrin”, ka shkruar ai.

Në reagimin e tij, Selmanaj u ka bërë thirrje mediave dhe gazetarëve që të verifikojnë informacionet para publikimit, duke thënë se zyrat e degës mbeten të hapura për çdo konfirmim zyrtar.

Shpërndaje:FacebookWhatsApp