Dua Lipa hap bibliotekë me libra të ndaluar në Portugali

Dua Lipa ka nisur një projekt të ri kulturor në Portugali, duke hapur një bibliotekë të dedikuar për libra të ndaluar dhe të censuruar.

Ylli shqiptaro-britanik po e zgjeron angazhimin e saj përtej muzikës me projektin “Manifesto Library”, një hapësirë që pritet të vendoset në qytetin Porto.

Biblioteka do të realizohet në bashkëpunim me librarinë e njohur “Livraria Lello”, e cila konsiderohet një ndër libraritë më të famshme në botë dhe vizitohet nga mijëra lexues e turistë.

Sipas raportimeve, qëllimi i projektit është të mbledhë vepra që në periudha të ndryshme janë ndaluar, censuruar ose kanë sfiduar pushtetin, përjashtimin dhe narrativat dominuese.

“Manifesto Library” pritet të shërbejë si hapësirë për promovimin e lirisë së shprehjes, mendimit kritik dhe rëndësisë së letërsisë në debatet shoqërore.

Ky është një tjetër hap i Dua Lipës në fushën e kulturës dhe leximit, duke e lidhur emrin e saj jo vetëm me muzikën, por edhe me nisma që nxisin diskutim publik.

A mendoni se figura publike si Dua Lipa duhet të përfshihen më shumë në projekte kulturore? Na shkruani në Facebook.

Burimi: Sinjali

Shpërndaje:FacebookWhatsApp