Me Rëndësi: Shqipëria me rregulla të reja në kufi: Dokumente shtesë dhe procedura të përshpejtuara për kategori të caktuara

Shqipëria pritet të zbatojë rregulla të reja për verifikimin në pikat kufitare, me fokus të veçantë te udhëtimi i të miturve, procedurat për transportin ndërkombëtar dhe kalimi i përshpejtuar për kategori të caktuara të personave.

Sipas raportimeve, rregullat synojnë përafrimin me Kodin e Kufijve Shengen të Bashkimit Evropian, forcimin e sigurisë dhe parandalimin e rasteve të trafikimit apo largimit të të miturve pa autorizimet përkatëse.

Për fëmijët nën moshën 16-vjeç, parashihet që udhëtimi jashtë shtetit të bëhet vetëm të shoqëruar nga një person madhor dhe me deklaratë noteriale nga prindërit ose kujdestari ligjor, sipas rrethanave familjare dhe dokumentacionit përkatës.

Ndërkaq, personat nga 16 deri në 18 vjeç mund të udhëtojnë edhe të pashoqëruar, por duhet të kenë autorizim noterial nga prindërit, ku përcaktohen adresa e qëndrimit, personi pritës dhe qëllimi i udhëtimit.

Në rast dyshimi, Policia Kufitare mund të kryejë verifikime shtesë dhe intervista të shkurtra me shoqëruesin, me qëllim parandalimin e rasteve të mundshme të rrëmbimit, trafikimit apo braktisjes së të miturve.

Rregullat parashikojnë procedura të përshpejtuara edhe për krerët e shteteve dhe qeverive, diplomatët, përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare, trupat e NATO-s, ekipet e kërkim-shpëtimit, zjarrfikësit dhe zyrtarët policorë në detyrë.

Po ashtu, qytetarët që kalojnë kufirin rregullisht për punë dhe janë të regjistruar në sistem mund t’i nënshtrohen verifikimeve më të thjeshtuara.

Sa i përket mjeteve të transportit, pasagjerët në autovetura zakonisht mund të qëndrojnë brenda automjetit gjatë kontrollit, ndërsa autobusët, tragetet, avionët dhe trenat do të verifikohen sipas procedurave të posaçme, varësisht nga lloji i transportit dhe niveli i fluksit në kufi.

Qytetarët, sidomos familjet që udhëtojnë me fëmijë, këshillohen të sigurohen paraprakisht se kanë dokumentacionin e nevojshëm, për të shmangur vonesat apo pengesat në pikat kufitare.

Shpërndaje:FacebookWhatsApp