Kurti pret Daniel Serwerin, ja çfarë diskutuan

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim profesorin amerikan dhe njohësin e çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer.

Kurti ka bërë të ditur se gjatë takimit është biseduar për zhvillimet e brendshme politike në Kosovë, procesin e integrimit euroatlantik, si dhe situatën e sigurisë në rajon.

Ai ka thënë se Serwer ishte mysafiri i parë amerikan të cilit ia ka uruar përvjetorin e 250-të të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Sot pata nderin të pres në Zyrën e Kryeministrit profesorin amerikan dhe mikun e madh të Kosovës, Daniel Serwer, për një takim të përzemërt dhe frymëzues”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij, në takim është diskutuar edhe për hapat që Kosova po ndërmerr në përgatitje për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe për zhvillimet gjeopolitike që ndikojnë në sigurinë e vendit.

Kurti e ka cilësuar Serwerin si mik të Kosovës, duke thënë se ai vazhdimisht ka folur për çështjen e Kosovës dhe për kërcënimet që, sipas tij, Serbia paraqet për sigurinë rajonale.

Shpërndaje:FacebookWhatsApp