Vrasja e imamit në Dragash, KBI në Gorë: Dyshohet se motivi lidhet me çështje private

Imami i fshatit Zlipotok në Dragash, Gazmend Tahirovci, ka humbur jetën mbrëmjen e kaluar në rrethana që po hetohen nga organet e drejtësisë.

Sekretari i Bashkësisë Islame për rajonin e Gorës, Ajhan Beqiri, ka deklaruar se, sipas informacioneve që kanë, rasti nuk lidhet me angazhimin e të ndjerit si imam.

“E tëra që mund të them është se vrasja e imamit nuk lidhet me punën e tij. Kemi informacione që ky akt i rëndë ka ndodhur për çështje private”, ka thënë Beqiri.

Ai ka shprehur ngushëllime për familjen e Tahirovcit dhe ka kërkuar që institucionet kompetente ta zbardhin sa më shpejt rastin.

“Gazmendi ka qenë imam në zonën tonë dhe jemi të tronditur me humbjen e tij. Urojmë që organet e drejtësisë të kryejnë punën e tyre”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e dy personave lidhur me rastin. Njëri prej tyre dyshohet për përfshirje në vrasje, ndërsa tjetri për veprën penale “mosdhënie e ndihmës”.

Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë në vazhdim.

Shpërndaje:FacebookWhatsApp