Kohët e fundit, IPKO Telecommunications ka qenë objekt i artikujve të ndryshëm publik, që implikojnë shkelje ndaj të drejtave të konsumatorit. Prandaj, për të shmangur konfuzionin e mëtejshëm të konsumatorëve dhe jo vetëm, ne e konsiderojmë të nevojshme të sqarojmë situatën, e cila qëndron siç është përshkruar në vijim të këtij njoftimi.
Për një periudhë prej pothuajse 14 vitesh, angazhimi ynë më i madh ka qenë në ofrimin e shërbimeve dhe përmbajtjes programore të cilësisë së lartë, në përputhje me kornizën ligjore të zbatueshme në Kosovë. Ne kemi qenë, pa përjashtim, gjithmonë në përputhje me çdo akt nënligjor të ri, edhe kur një gjë e tillë nuk ka qenë në dobi të konsumatorëve ose kompanisë tonë, si tërësi. Një angazhim i tillë ka mbizotëruar deri më sot, megjithëse me kalimin e kohës, ligjet dhe rregulloret kanë qenë objekt i ndryshimeve substanciale.
Një ndër rastet e tilla ishte rishikimi i kuadrit ligjor të Komisionit të Pavarur për Media, me rastin e amandamentimit nga ana e tyre të ‘Rregullores për Shpërndarjen e Shërbimeve të Mediave Audio dhe Audiovizuale’. Bazuar në këtë amendamentim, 24 kanaleve lokale që kishin statusin e “bartjes së obligueshme” dhe që janë transmetuar nga operatorët në Kosovë pa asnjë kompensim, iu dha mundësia e kompensimit dhe negocimit të çmimeve, gjë që u ofroi gjithashtu mundësinë atyre për të vendosur nëse ata do të jenë pjesë e platformës së një operatori, apo jo.
Si rrjedhojë e kësaj, në maj 2021, IPKO ka pranuar kërkesë për kompensim nga ana e tre kanaleve televizive lokale, në mënyrë që të qëndrojnë pjesë e platformës tonë. Oferta e tyre i përkiste një vlere financiare thjeshtë jo të justifikueshme nga asnjë kusht ekonomik, racional, dhe as nga kushtet aktuale të tregut në Kosovë. IPKO në të njëjtën kohë ofroi të rrisë ndjeshëm vlerën e kompensimit përmes reklamave me këto tre kanale lokale, të cilat disa prej tyre i kanë pranuar edhe në të kaluarën, por një gjë e tillë nuk ishte e pranueshme nga ana e tyre. Nga kanalet përkatëse, u vendos data 31 gusht, si data kur ne duhet të ndalojmë transmetimin e tyre, në rast të mos arritjes së një marrëveshje mes palëve. Duke qenë se pas të gjitha përpjekjeve, nuk arritëm në mirëkuptim dhe zgjidhje të përbashkët, IPKO e obliguar të respektoj vendimin e kanaleve, largojë të njëjtat nga platforma që nga data 1 shtator 2021.
Është e nevojshme për publikun të sqarohet se, përmbajtjet e ndryshme në të gjithë botën ofrohen nga prodhues të ndryshëm, dhe për çdo kanal, secili operator duhet të ketë kontratë të vlefshme, pavarësisht nëse përfshirja është me kompensim apo jo. Këto kontrata fillojnë dhe përfundojnë në data të ndryshme, dhe kjo është arsyeja përse në industrinë të cilën ne operojmë, asnjë operator nuk ka mundësi të garantoj përdoruesve të tij, që lista e kanaleve do të mbetet e pandryshuar gjatë gjithë periudhës kontraktuale. Ne qëndrojmë të përkushtuar për të informuar përdoruesit tanë me fakte dhe informacione të sakta, dhe për këtë arsye nuk e kemi të mundur të garantojmë për diçka që është plotësisht e pamundur nga natyra e biznesit. Jo vetëm IPKO, por edhe operatorë të tjerë në treg, në të kaluarën dhe madje kohët e fundit, kanë hequr kanale nga platformat e tyre. Ky është një proces i cili ndodhë në vazhdimësi, por që pavarësisht kësaj, IPKO do të vazhdojë përpjekjet maksimale në mbrojtjen dhe mbajtjen e listës së kanaleve dhe përmbajtjes, sa më të paprekur të jetë e mundur, duke synuar gjithmonë edhe pasurimin e saj.
Sa i përket informacionit të publikuar në media, konkluzioneve të inspektimit nga Inspektorët e Inspektoratit të Tregut në Ministrinë e Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë (MINT), ne e vlerësojmë të nevojshme të informojmë konsumatorët tanë dhe jo vetëm, se është e vërtetë se ne kemi qenë objekt inspektimi nga ana e MINT nga data 13 shtator 2021. Gjatë këtij inspektimi, ne kemi qenë tejet bashkëpunues me Inspektoratin, duke u siguruar të njëjtëve të gjitha të dhënat, mostrat e kontratave dhe materiale të tjera, siç është kërkuar nga ana e tyre. Sidoqoftë, ne do të theksonim se i gjithë ky proces i trajtimit të ankesave, nga këndvështrimi ynë, nuk ishte i zakonshëm. Në të kaluarën, ankesat e marra nga departamenti përkatës në Ministri, janë dorëzuar tek Rregullatori në mënyrë individuale, i cili më tej kishte marrë të gjitha masat për trajtimin e ankesave së bashku me operatorin, ndërsa në rastin konkret, Inspektorët e Inspektoratit të Tregut vetëm, duke mos përfshirë fare Rregullatorin, kanë ndërmarr të gjitha masat, kështu duke krijuar zëra dhe aq shumë vëmendje të padëshiruar. E gjithë kjo situatë jo vetëm që bëri konfuz përdoruesit tanë, por edhe ne si objekt inspektimi. Siç u tha në fillim, ndryshimet në platformën e një operatori janë të pashmangshme, dhe operatorët e tjerë gjithashtu kanë përjetuar ndryshime të tilla, megjithatë asnjë masë ose publicitet i padëshiruar nga media, i këtij lloji, nuk është ndërmarr.
Meqenëse tashmë procedura pranë gjykatës është iniciuar, ne nuk jemi në pozitë për të njoftuar lidhur me detaje e tjera dhe materialet e tjera që janë ndarë me Inspektoratin e Tregut, megjithatë ne sigurojmë përdoruesit tanë se gjatë tërë kësaj kohe, kemi operuar në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi.
Pavarësisht të gjitha të sipërshënuarave, IPKO pa asnjë paragjykim mbetët i fokusuar në ndjekjen e kësaj çështje pranë Gjykatës, që dhe me tutje të mbrojmë qëndrimin tonë.
Në të njëjtën kohë, ne do të mbetemi të fokusuar në ofrimin e shërbimeve të kualitetit më të lartë për përdoruesit tanë, dukë vlerësuar thellësisht mirëkuptimin e tyre.