Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore bindëse ndaj Sigal Prishtinës 95:69 (30:11, 25:19, 23:17, 17:22), në kuadër të javës së katërt të Art Motion Superligës së Kosovës në basketboll.
Vendasit ishin të vendosur për fitore, duke e nisur për mrekulli ndeshjen, ku ishin në epërsi nga fillimi deri në fund, kurse prishtinasit kishin disa mungesa. Në çerekun e parë ishin në epërsi 25:6, derisa këtë pjesë e përfunduan në të mirë të tyre 30:11. Therandasit vazhduan me lojë të mirë edhe në periudhën e dytë, duke mos u ndalur për asnjë moment, kurse epërsia sa vinte e shtohej, ndërsa pjesa e parë përfundon 55:30.
Ylli nuk u ndal as në pjesën e dytë, përkatësisht periudhën e tretë, ku arriti epërsinë më të lartë 76:39, duke e bërë të qartë se kush do të fitonte në këtë përballje, kurse rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 78:47. 10 minutat e fundit u zhvilluan vetëm formalisht, duke u dhënë hapësirë edhe lojtarëve të rinj, ndërsa Ylli triumfoi në fund me shifra 95:69.
Te Golden Eagle Ylli u dalluan Mikaile Tmusiq me 30 pikë e shtatë kërcime, Gëzim Morina me 19 pikë e nëntë kërcime dhe Brandon Radolph me 14 pikë, shtatë kërcime e nëntë asistime, kurse te Sigal Prishtina u dalluan Muhamedali Janjeva me 23 pikë e nëntë kërcime dhe Meriton Ismaili me 21 pikë e pesë kërcime.
Golden Eagle Ylli ka një fitore dhe tri humbje, kurse Sigal Prishtina dy fitore dhe dy humbje.